Lajme

Zyrtari i lartë i SHBA, prokurorëve: Hetoni dhe dënoni trafikantët!

I ngarkuari me punë i SHBA në vendin tonë,


I ngarkuari me punë i SHBA në vendin tonë, Dan Koski, u bëri sot thirrje prokurorëve të hetojnë, ndjekin penalisht dhe të dënojnë më shumë trafikantë. I pranishëm në Konferencën Rajonale kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Koski u shpreh se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Shqipërinë në luftën kundër trafikantëve.

“Duke përdorur ligjin ekzistues prokurorët mund t’i nxjerrin jashtë shoqërisë shqiptare trafikantët dhe t’i fusin në burg, aty ku e kanë vendin. Prokurorë, ju bëj thirrje që të hetoni, të ndiqni penalisht dhe të dënoni më shumë trafikantë. Ne do t’ju mbështesim gjatë rrugës”, tha Koski.

Zyrtari i lartë amerikan u ndal dhe te Reforma në Drejtësi. Ai u kërkoi prokurorëve që ta shfrytëzojnë vrullin e reformës, për të nxitur dhe frymëzuar veprimet për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

“Trafikantët duhet ta dinë që ne nuk do të tolerojmë veprimet e tyre të neveritshme dhe kriminale. Së bashku, ne duhet të jemi të vendosur. Dhe së bashku duhet të vazhdojmë të ndërtojmë zinxhirin që lidh trafikantët me ndjekjet penale dhe dënimet, që mbështet viktimat me strehëza dhe përkrahje dhe ngre lart të gjithë Shqipërinë me premtimin e të nesërmeve më të ndritshme”– u shpreh Koski.