Lajme

Zyra e Prokurorit në Hagë: Dëshmitarët janë ndjerë të frikësuar nga dosjet e publikuara

Nga zyra e Prokurorit të Specializuar kanë njoftuar se janë duke bërë përgatitjet për të ngritur aktakuzë kundër Nasim Haradinajt, i cili ditë më parë u arrestua në Prishtinë dhe u dërgua në paraburgim në Hagë.

Përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në paraqitjen për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kundër Nasim Haradinajt, thanë se janë duke mbledhur provat kundër Haradinajt për të ngritur aktakuzë.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Para trupit gjykues, nga ZPS-ja, deklaruan se shumë dëshmitarë janë ndjerë të frikësuar me publikimin e dosjeve nga OVL e UÇK-së.

“Sa i përket kërkesës për aktakuzë, desha të ju përcjell se ZKS-ja, po punon që sa më shpejt të dorëzohet një aktakuzë kundër z.Haradinaj në kohë sa më të shkurtër. Ka disa hapa hetimor që po ndërmerr zyra jonë për momentin për të siguruar të dorëzohet aktakuza së bashku me të gjitha materialet mbështetëse për të krijuar një dosje të plotë”.

Po ashtu u theksua se kjo zyrë është në procesin e mbledhjes së informacionit të shumtë që i janë përcjellë kësaj zyreje. “Ata ndjehen të kërcënuar dhe të frikësuar për shkak të arsyeve që janë përmendur në arrestimin e z.Haradinaj”, ka thënë përfaqësuesja nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Ajo ka shtuar se në ngritje të aktakuzës kërkohen edhe dokumente nga palët e treta dhe duhet të merren masa për të bërë transkriptimin dhe përkthimin e provave që janë me audio dhe video.