Lajme

‘Zoti Facebook, në orën 16 paraqitu në komisariat te Njaziu’

Ka ca ditë që qeveria nuk po gjen rehat.

Ka ca ditë që qeveria nuk po gjen rehat. Kërkon organizatorët e protestave dhe nuk po ia del dot.

E si gjithnjë kur xhiron bosh, ia nis këngës “Fajin e ka Saliu”. U nda dhe u ça Rama të mësojë një lider të këtyre ditëve, por po i del film i djegur.

Ngaqë protesta kishte si maja buke dhimbjen e shqiptarëve, të cilët gdhihen e ngrysen pa shpresë.

Nuk është shaka ky dialog mes policëve:

-Ej, po cili e ka mbledhur gjithë këtë turmë, mo?

-Facebook-u, shef. Dihet.

-Ashtu?! Atëherë ma sillni nesër ora 16 këtë Facebook-un. Të kërkon Njaziu, i shkruani. Shefi i policimit.

Kështu mes marrëzive i jetojmë këto ditë. Thirren plot njerëz për shpjegime pse shkruajnë pro tubimeve antiqeveritare. U thuhet se kanë kryer kundravajtje penale. Ngaqë u thyen tre semaforë e ca kazanë të lashtë plehrash. I quajnë pasuri publike dhe s’kanë faj.

Vetëm ato kanë ngelur pa u shitur nga ky shtet hajdut. Bërtet Rama si i lëshuar menç se përdorimi i të miturve bëhet veç nga Boko Haram. Harron mavria se 21 janari i tij ishte mbushur plot me minorenë, plot me djegie dhe dhunë.

Qeveria sot ka aq probleme sa e ka kapur keq nervozizmi. Asgjë nuk ka në terezi. Borxhe pa fund, infektime pa limit, ekonomia në zgrip e janë turrur të gjejnë organizatorët e protestave.

Po organizator je vetë o Ramë Rrumpalla. Me shtatëvjeçarin tënd si marsh funebër, mbushur me burgosje, kërcënime dhe dëbime. Me vjedhje e plaçkitje. Duke qeverisur kështu i ke bërë karshillëk popullit, e ke trembur deri sa vrasja e Klodianit qe pika që po derdh kupën.

Tani sulu Facebook-ut, quaje zotëri, thirre në komisariat, po asgjë nuk do arrish. Se po ndodh me popullin ajo që trumbetojnë komunistët e tu, një ikën nga protesta, mijëra të tjerë vijnë.

Qeveria është në menopauzë. Po ngaqë nuk i kupton simptomat, pandeh se po e rrahin me hithra. Edvin, rregullo burgjet, pastroji, ajrosi, lyeji se do shkosh vetë së shpejti aty e do rrish në këmbë. Po hernia do të të palosë. Ndaj vendos ca stola të gjatë, po bëji me tender ndërkombëtar. Se po e bënë hajdutët e tu, do të të thyhet stoli sa të shtrihesh që të marrç një sy gjumë.

Policinë lëre të ndeshet me Facebook-un. Ti e di që ata ia dalin mbanë. Ja prova, në një thirrje me sms shkruajnë 10 fjalë dhe kanë 12 gabime. Si kënga juaj e moçme, shtije 7 e vrisje 8 a 9 a 10…


Etiketa: