Lajme

Zogaj: LDK-ja e angazhuar të kthehet aty ku e ka vendin

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Ko

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka folur për vendimet e partisë pas zgjedhjeve të brendshme. Ai tha se këto vendime kanë ardhur në harmoni me proceset e reja të cilat janë bërë në parti, përfshirë zgjedhjet, kryesia e re e kryetari i ri, njofton Insajderi.

Zogaj në Interaktiv të KTV-së ka folur edhe për angazhimin e tij në politikë, për të cilin tha se ka parë hapësirë për angazhim për zhvillimin e LDK-së.

“Angazhimi politik për mua nuk ka qenë me suksesin e grupit. Kam parë hapësirë tash për angazhim dhe shoh angazhim për zhvillimin e LDK-së dhe të vendit. Përvoja ime dhe shkollimi më bën shumë të përshtatshëm të angazhohem politikisht. Ky ka qenë momenti i angazhimit”, tha ai.

Sipas tij, hapat konkretë të ringritjes së LDK-së po vijnë qysh prej rezultateve të zgjedhjeve, teksa kujton periudhën e dorëheqjes së ish-kryetarit Isa Mustafa dhe ardhjen e kryetarit të ri. Tha se, “qysh atëherë LDK-ja ka qenë e angazhuar për ndryshim të cilën e kthejnë aty ku e ka vendin dhe këtë po e them prej momentit kur Mustafa jep dorëheqje, pra liron hapësirë”.

“Organizimi i zgjedhjeve të LDK-së ka qenë fantastike se si transformohet një udhëheqje në një udhëheqje tjetër. Kryetari i ri i LDK-së ka ardh me ide të reja, ekip të ri e kryesi e re dhe po e riorganizojmë grupin. Në këtë drejtim ishin edhe vendimet e djeshme”, tha ai.

Zogaj tha se reformimi i shumëpërmendur i partisë, jo çdo herë do të thotë se ka të bëjë me njerëz. Tha se për LDK-në kjo do të thotë reforma në procese.

“Është thënë në kuptimin e formës se si do veprohet në procese, se sa në ndryshim të thellë të partisë. Nuk është se po flasim gjithnjë për njerëzit, por edhe për proceset”, tha ai./Insajderi.com