Maqedoni

Zhbogar: Shtyrja e regjistrimit për shkak të zgjedhjeve është e logjikshme

Republika e Maqedonisë së Veriut shënoi “Ditën e Statistikave Evropiane”, megjithëse për 17 vjet nuk e ka kryer operacionin më të rëndësishëm statistikor, regjistrimin e popullsisë. Regjistrimi që u njoftua në prill, është shtyrë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Drejtori i Entit të Statistikave Shtetëror nuk ka asnjë koment.

Do të merrni njoftim me shkrim për këtë – u përgjigj shkurt Apostol Simovski, Drejtor i Entit të Statistikave Shtetërore.

Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar, thotë se shtyrja e regjistrimit për shkak të zgjedhjeve sipas tij është e logjikshme, por tha se qeveria nuk ka pengesa të paktën në Parlament, ta miratojë Ligjin e Regjistrimit.

Ne e kuptojmë se regjistrimi duhej të shtyhej, për shkak të vendimit të autoriteteve, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Shtyrja është logjike në këto rrethana. Regjistrimi është një proces, nga i cili kanë përfitim të gjithë qytetarët dhe duhet të jetë i lirë nga ndikimi politik. Ne e kuptojmë, që përgatitjet teknike po shkojnë mirë dhe shpresojmë se do të ketë vullnet politik, për të përfunduar këtë operacion. Presim të shohim si do të rrjedhë regjistrimi, posa të përmbushen të gjitha kushtet, dhe më së voni deri në vitin 2021, kur edhe vendet e tjera evropiane do të organizojnë regjistrimin – deklaroi Samuel Zbogar, Ambasador i BE-së.

Kryeministri Zoran Zaev, tashmë ka njoftuar se për shkak të zgjedhjeve shansi për regjistrim është i humbur, por pritjet e tij janë, që ai të zbatohet vitin e ardhshëm ose më së voni deri në vitin 2021. Nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, nuk nguten. Për ata regjistrimi është i pranueshëm edhe dy vjet nga tani. Mickoski akuzon se pushteti ndërkohë po abuzon Entin Shtetëror të Statistikave, për të sajuar të dhëna për një imazh pozitiv ekonomik. Apostolovski nuk i komentoi këto akuza dhe njoftoi për një deklaratë gjatë ditës. Ndërsa Zhbogar kujtoi, që Bashkimi Evropian përmes fondeve IPA, deri më tani ka investuar rreth pesë milion euro, për reforma në Entin shtetëror të statistikave dhe në Bankën Kombëtare, por është theksuar, se janë të nevojshme përmirësime.

Alsat

Loading…