Maqedoni

Zgjedhjet në Maqedoninë Veriore, partitë ende nuk kanë filluar bisedimet

Partnerët e koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI kanë qëndrime të ndryshme sa i takon koalicionit të mundshëm parazgjedhor.

Për kreun e BDI-së Ali Ahmeti, koalicioni me partinë e Zoran Zaevit nuk do të jetë në shërbim të asnjërës partie duke konsideruar se ata kanë dallime në programe.

Sipas tij, koalicione të ngjashme parazgjedhore janë të logjikshme vetëm në nivele lokale ose siç ishte rasti me zgjedhjet presidenciale.

“Unë mendoj se nuk do t’i shërbente as LSDM-së dhe as BDI-së një koalicion i tillë parazgjedhor. Unë nuk mendoj se ne do të jemi ata shpëtimtarët që të hymë në koalicione të tilla për hatër dhe ta shpëtojmë njëri-tjetrin. Kjo nuk do t’i ndihmonte as LSDM-së dhe as BDI-së. Dallime ka akoma në vija programore. Ne akoma kemi dallime programore në vija kombëtare”, tha Ahmeti.

Ahmeti, në emisionin “Argument” në RTVM2, thotë se është i dëshpëruar dhe i zhgënjyer nga partitë opozitare shqiptare, të cilat në të kaluarën nuk kanë pranuar të bëjnë koalicione as me BDI-në por as ndërmjet tyre.

Ndërkohë, nga LSDM-ja akoma nuk e kanë të definuar kaq qartë çështjen e koalicionit. Zëvendëskryetarja Radmilla Shekerinska vlerëson se është herët për konstatime dhe se fokusi duhet të përqendrohet në atë që është arritur deri tani.

Në ciklet e kaluara zgjedhore, LSDM dhe BDI kanë bashkëpunuar në disa raste në zgjedhjet lokale duke mundësuar zgjedhjen e kandidatit të njërës ose partisë tjetër për kryetar komune. I tillë ishte rasti me Çairin, Tetovën, Kërçovën dhe Strugën, ndërkohë që BDI mbështeti kandidaturën e Stevo Pendarovskit dhe zgjedhjen e tij president.