Kosovë

Zëvendësministri i hyn garës për Kryetar komune, duhet të dorëhiqet nga Qeveria nëse fiton garën

Milan Radojeviç aktualisht është duke e ushtruar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

Radojeviç i cili pozitën e zëvendësministrit në MPB- e mori pas hyrjes së Listës Serbe në koalicion me LDK-në, AAK-në dhe Nismën për krijimin e Qeverisë “Hoti”, së fundmi i ka hyrë garës edhe për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Ai tashmë veçse ka filluar aktivitetin parazgjedhore për tu ballafaquar edhe me 3 kandidatë të tjerë  në zgjedhjet e 29 nëntorit të këtij viti.

Gazeta Express ka kontaktuar me njohës të së drejtës Kushtetuese. Ata kanë pohuar se në rast se i njëjti fiton besimin e qytetarëve në Mitrovicën e Veriut për të udhëhequr me komunën, ai duhet të dorëhiqet nga pozita e zëvendësministrit në MPB.

Të paktën kështu ka pohuar për Gazetën Express. Mazllum Baraliu.

“Ai duhet patjetër që në momentin që bëhet certifikimi i rezultateve dhe ai e fiton shumicën në mesin e kandidatëve për kryetar ai duhet të jap dorëheqje domosdoshmërish”, ka thënë ai për Express.

Sipas tij detyra në nivelin qendror dhe ajo e nivelit lokal nuk përputhen.

“Është e papërputhshme detyra në nivel qendror me atë të kryetarit në komunë e që ka krejt karakter të ndryshëm”, ka thënë më tutje ai.

Për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut gjatë kësaj jave për Gazetën Express janë deklaruar edhe kandidatët shqiptarë.

Kandidati i Vetëvendosjes Erden Artiqi, për Express tha se kësaj gare i ka hyrë me qëllimin e vetëm për fitore.

 “Për momentin deri sot fushata është duke shkuar mirë përveç problemit me pandeminë. Po mundohemi që fushatën ta bëjmë konform rregullores që e ka përpiluar Ministria e Shëndetësisë.  Problemi tjetër është me sistemin zgjedhor, konkretisht me kufizimin e numrit të komisionarëve dhe vëzhguesve që po mundohen që ta imponojnë tek të gjitha subjektet politike që janë në garë, por po presim përgjigje prej KQZ`së për këtë problem”, ka thënë ai, për Express.

Edhe Florent Azemi kandidat i PDK-së për këto zgjedhje i ka thënë Expressit se aktivitete parazgjedhore janë duke shkuar mirë dhe pa presion nga ana e Serbisë.

 “Unë kryesisht fushatën e bëj në ato lagje që janë të banuara me komunitete të përziera dhe nuk kam hasur në ndonjë telash dhe mundem me thënë që për 20 vite qysh nga lufta sa kanë kaluar deri më tani ne kemi kaluar në shumë, vështirësi qysh nga zgjedhjet e para por tani për mua kjo është një gjë normale dhe situata në këto zgjedhje është më relaksuar. Më nuk po ka si përpara rreziqe. Megjithatë janë institucionet e tjera që merren me këtë aspekt”, ka thënë ai.

Edhe pse në kohë pandemie, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, bazuar në vendimin e ish-presidentit Thaçi do të mbahen më 29 nëntor 2020.

Në dy vendimet e Thaçit theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Në Mitrovicën e Veriut, kandidati i Vetëvendosjes Erden Atiq do të ketë numrin 121, Dusan Milunovic kandidat i pavarur do të ketë numrin 122, Milan Radojeviç nga Lista Serbe do të ketë numrin 123 dhe Florent Azemi nga PDK’ja do të ketë numrin 124.

Kjo komunë mbeti pa kryetar kur Goran Rakiq erdhi në pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë “Hoti”.

Në Mitrovicën e Veriut të drejtë vote kanë 23 mijë e 180 votues, shumicë në këtë komunë janë serbë.