Lajme

Zëdhënësi i PDK-së ironizon me bashkimin e Osmanit me VV-në

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka ironizuar me bashkimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, me listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sot gjatë ditës, Osmani dhe VV-ja zytarizuan marrëveshjen për të garuar në një listë të përbashkët, me Albin Kurtin kandidat për kryeministër e Osmanin për presidente.

Tani Bytyçi ka ironizuar me këtë duke thënë se më “Lufta e Trojës nuk do të jetë referencë për taktizime, por Vjosa e Albinit”.

“Jam bindur se nëse dikush e studion rastin e kalimit të Vjosa Osmanit në Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë të mirëfilltë, do të zbuloj një teori të re politike për inflitrim, përçarje dhe shkatërrim të oponentëve politik. Lufta e Trojës më nuk do të jetë referencë për taktizime, por Vjosa e Albinit”, ka shkruar Bytyçi.

Ai ka komentuar edhe raportimet se VV-ja do të propozojë Murat Jasharin kandidat për president.

“Edhe nëse Vjosa Osmani është kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për Presidente, çka ndodhi me Murat Jasharin? Kërkoj falje se harrova, edhe ai është i Drenicës!” ka përfunduar Bytyçi.