Lajme

Zbulohet manipulimi i Komunës së Prishtinës me tenderin milionësh

Tenderët po vazhdojnë të manipulohen në institucionet publike në Kosovë.

Zyra e prokurimit të Komunës së Prishtinës është e vendosur që të shpërblejë me tender dy kompani që nuk i kanë plotësuar kushtet në bazë të kritereve që vetë prokurimi i ka vendosur në dosjen e tenderit për punët “Ndërtimi i rrugëve në pjesët rurale me infrastrukturë përcjellëse”.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Komuna vendosi që të ndajë në tetë pjesë (lote) këtë tender që është paraparë për ndërtimin e disa rrugëve në fshatrat e Prishtinës.

Më datë 15 shtator, prokurimit komunal ka bërë njoftim për rezultatin e vlerësimit të këtij tenderi, nga ku ka publikuar tetë fitues. Në garë kanë qenë 18 subjekte.

Lajmi.net ka mësuar se kompania që fitoi tenderin për pjesën e parë “Bujar Shabani BI”, nuk i ka plotësuar kushtet e paraparë, pasi nuk ka vendosur çmime fare për 22 artikuj të kërkuar nga komuna, ose më saktë, sipas ofertës së kësaj kompanie që e ka parë lajmi.net, nuk i ka plotësuar 38 rubrika, gjë e cila ka ndikuar në çmimin e ofruar që të jetë më i ulët se i kompanive tjera të përgjegjshme. E ngjashme është edhe oferta e shpallur fitues për lot 7 e kompanive “Kosova Asfalt” & “Adnan Bislimi B.I”.

Pra, fitues për lot I është shpallur kompania nga Ferizaj “Bujar Shabani BI” me vlerë totale të ofertës prej 684 mijë e 724 euro. Lot II e ka fituar grupi i kompanive “Nëntë vëllezërit” & “NV Company” me vlerë të ofertës 68 mijë e 664 euro. Lot III, “Integral” me çmim prej  106 mijë e 196 euro. Lot IV “Kema –Compant”; “Pro& Co Group” në vlerë prej  109 mijë e 512 euro. Lot V, “Ledi Ing” me vlerë të ofertës 191 mijë e 198 euro. Lot VI, “Beni Construksion”& “VB Tofaj” në vlerë prej 144 mijë e 822 euro. Lot VII, “Kosova Asfalt” & “Adnan Bislimi B.I”, në vlerë prej 257 mijë e 597 euro, dhe lot VIII “Afrim A.Beka BI” & “Shkëmbi” në vlerë totale të ofertës 83 mijë e 119 euro.

Vlera totale është 1 milion e 645 mijë euro.

Pas përzgjedhjes së fituesve, një kompani nuk është pajtuar me këtë vendim të komunës, andaj ka kërkuar qasje në dokument, por komuna ka hezituar që të lejojë. Lajmi.net ka mësuar se kompania i është drejtuar Komisionit Rregullativ të Prokurimit –KRPP. Më pas ky institucion e ka urdhëruar komunën që t’i mundojë qasje kompanisë në afatin e paraparë ligjorë.

Pas lejimit të qasjes, kompania ka bëra parashtresë tek prokurimi komunal, duke pretenduar se kompania “Bujar Shabani B.I’’, është shpallur fitues për lot I në kundërshtim me kërkesat dhe Ligjin e Prokurimit.

Është vërejtur se Operatori i shpallur si fitues për LOT I: Bujar Shabani B.I  tek Paramasa dhe Parallogarit nuk e ka plotësuar fare pjesën: AKSI 5,  dhe Rekapitullimi, duke lënë kështu të pa plotësuara gjithsej 38 rubrika, përkatësisht 22 artikuj nga përshkrimi i çmimeve.

Me këtë rast si çmim total i ofertës është paraqitur vetëm Aksi 1 nga përshkrimi i çmimeve.

Sipas dosjes së tenderit që e ka parë lajmi.net, të këtij aktiviteti të prokurimit pika 28.2, dhe 28.3 precizohet qartë se nga momenti i pranimit të tenderëve nuk guxon të kërkohet, ofrohet ose lejohet asnjë ndryshim në çmim ose ndonjë kusht ose aspekt material të tenderit.

Pra, këtu nuk kishte të bënte as me gabim aritmetikor, pasi që çmimet për njësi janë të paplotësuara.

Me këtë rast Autoriteti Kontraktues, duke parë se këto gabime janë të papërmirësueshme gjatë kësaj faze, pasi që ndryshimi do të konsiderohej ndryshim në aspektin material të ofertës, është dashur që tenderi të shpallej i papërgjegjshëm dhe operatori ekonomik të eliminohej nga procedura e tenderimit për lot I. Mirëpo, komuna më këtë rast, pas ankesës së kompanisë, ka bërë korrigjim të njoftimit dhe operatorin që nuk i kishte plotësuar kushtet konfomë kërkesave nuk e ka eliminuar,  por e ka shpallur fitues për një pjese tjetër të tenderit. Pra, vetëm janë ndërruar vendet e fituesve. Ndërsa, nuk ka bërë asnjë korrigjim për lot 7, e ka lënë fitues  “Kosova Asfalt”, duke thënë se “Kosova Asfalt” eliminohet për pjesën e I, por nuk mund të eliminohet për pjesën e VII-të, pasi ky operator është i përgjegjshëm për pjesën e VII dhe se tenderi ka qenë i ndarë në pjesë, ku çdo lot paraqet tender dhe kontratë të veçantë”.

Megjithëkëtë, Komuna ka bërë shkelje edhe në këtë rast, pasi Dosja e Tenderit është e njëjta, dhe i përmban kushtet dhe kriteret e  përgjithshme të përgatitjes së ofertës.

Duke vepruar kështu në kundërshtim me Dosjen e Tenderit dhe LPP-në operatorët kompanitë ”Bujar Shabani B.I” , dhe “Kosova Asfalt”, sipas legjislacionit në fuqi janë të papërgjegjshëm dhe do të duhej të eliminoheshin nga kjo procedurë e tenderimit, pasi që ky gabim është i papërmirësueshëm dhe duke vepruar kështu në kundërshtim me dosjen e tenderit, dhe LPP-në.

“Dhe operatori ekonomik për secilin prej Lot-eve udhëzohet në përgatitjen e ofertës nga Dosja e njëjtë e tenderit, andaj logjikisht çdo shkelje e kësaj dosje e bënë tenderuesin të papërgjegjshëm, pasi që  sipas pikës  27.2 të DT tenderuesi konsiderohet i përgjegjshëm kur është në pajtueshmëri nga aspekti administrativ me kërkesat formale të kësaj dosje të tenderit. Në rastin kur operatori ekonomik dërgon tek autoriteti kontraktues paramanën dhe parallogaritë e paplotësuar, sipas RROUP  plotësohet kushti administrativ i refuzimit të ofertës. Rrjedhimisht operatori ekonomik  me të njëjtat dokumente e ka paraqitur ofertën, si mund të jetë për njërin LOT i përgjegjshëm, ndërsa për LOT-in tjetër  të shpallet i  papërgjegjshëm dhe të eliminohet nga procedura e prokurimit?!”, tha për lajmi.net jo zyrtarisht njëri nga ekspertet e KRPP-së.

Megjithëkëtë, pas rivlerësimit komuna, me qëllim që OE “Bujar Shabani B.I” ta shpërblejë me kontratë në njërën nga pjesët e këtij prokurimi, vendosë që të ndryshojë fituesit për lot I.

Për lot 1 shpallë fitues “Kema Company” (që ka qenë fitues për lot 4) dhe për lot 4 shpalli fitues OE “Bujar Shabani B.I” (që ka qenë fitues për lot 1).

Pra, për këto veprime prokurimi komunal nuk ka nxjerr vendim pas rivlerësimit, si rëndom, por vendim ‘’Korrigjim i njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues’’.

Rëndom, autoritetet kontraktuese, në këtë rast përdorin forma B58 “Njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues”, sepse nuk bëhet fjalë për korrigjime të gabimeve, por për rivlerësim pas shkeljeve të Ligjit të Prokurimit Publik.

Në listë të Operatorëve Ekonomik të përgjegjshëm sërish është edhe “Kosova Asfalt” me paramasën e paplotësuar për të cilin kishim parashtruar Kërkesë për rishqyrtim.

Lajmi.net ka parë se në ofertën e “Kema Company” mungon deklarata se OE ka të paraqitur mbi 30 punëtorë në ATK, që është kërkesë e dosjes së tenderit, po ashtu ka bashkangjitur librezën e pajisjes me targa 05-492-AK të skaduar, në të cilën ceket se është Automjet Special, mirëpo jo cisternë e ujit ashtu siç kërkohet në Aneks 7, pika 7.

Aneksi 7 i Dosjes së Tenderit nuk është plotësuar konformë kërkesave të FDT-së, pjesa lidhur me të dhënat e pasjeve është e pa plotësuar.

Inxhinierët e kërkuar të drejtimit konstruktiv ose infr rrugoret duhet që të kenë përvojë pune mbi dy vite pas diplomimit. Por, ing.S.A, drejtimi konstruktiv pas diplomimit ka përvojë pune vetëm: 4 muaj (01.05.2018- 31.08.2018) sipas CV- së bashkangjitur në ofertë.

Inxhinieri i kërkuar i drejtimit Komunikacion është kërkuar të përvojë pune mbi 1 vit pas diplomimit. Ing H. P – Komunikacion, ka CV të mangët me të dhëna të pakta, në të shkruan vetëm; Përvojë pune 4 vite, mirëpo nuk ceket as institucioni/kompania, vitet e punës, detyrat apo përgjegjësitë, dhe asnjë dëshmi tjetër lidhur me përvojën pas diplomimit siç kërkohet në FDT.

Në marrëveshjen e furnizimit me beton nuk është cekur data se kur është lidhur marrëveshja.

Kjo lëndë pritët që të përfundojë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit për gjykim. /Lajmi.net/