Maqedoni

Zaev për “Danas”: Makroni e di se për Ballkanin BE-ja nuk ka alternativë tjetër

Përveç për botimin e “Politika”, Kryeministri Zaev dha një intervistë edhe për edicionit e të shtunës të së përditshmes “Danas” me titullin “Makroni e di se për Ballkanin BE-ja nuk ka asnjë alternativë tjetër”.

Në intervistë, Zaev vlerëson se Maqedonia e Veriut ka arritur shumë dhe se nuk do të lejojë që të kthehemi në të vjetrën, raporton korrespondenti i MEDIAL -s nga Beogradi.

“Një pjesë e udhëheqjes së lartë të kundërshtarëve tanë politikë, për fat të keq, deri më tani nuk janë distancuar nga regjimi i vjetër. Përkundrazi, ata mbrojnë atë regjim, krimin dhe korrupsionin që e sollën shtetin drejt fundit, ndërsa jeta ishte vetëm për një familje”, tha Zaev në një intervistë të publikuar në faqen e parë të së përditshmes së Beogradit “Danas”.

Zaev thotë se nuk e ka humbur shpresën në BE pas anulimit të sërishëm të datës  së fillimit për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe vlerësoi se “të gjithë përfitojnë” nga politika e zgjerimit dhe se “duke mbyllur derën të gjithë po humbasin”.

“Unë besoj se BE-ja sot është më shumë se kurrë e vetëdijshme që mbyllja e derës nuk do t’i bënte mirë askujt. Të gjithë përfitojnë nga vazhdimi i politikës së zgjerimit. Nga mbyllja eventuale e derës humbasin të gjithë”, thekson Zaev.

Ai shpreson të ketë një shans për të biseduar personalisht me Presidentin Francez Emanuel Makron dhe beson se Makron e di se BE-ja nuk ka asnjë alternative për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Asnjë partneritet nuk mund të jetë një zëvendësim për integrimin evropian. Unë mendoj se kjo nuk është një marrëdhënie e qëndrueshme dhe nuk do të sillte rezultatet e dëshiruara për këdo, përfshirë edhe Evropën”, tha Zaev.

Ai nuk pret ngecje në rrugën drejt anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Tri shtete të tjera mbeten për të ratifikuar Protokollin. Këto janë vendime të parlamenteve të shtetit dhe procedura teknike”, thekson Zaev.

Në një intervistë për “Danas”, ai gjithashtu thotë se pret që opsioni  që ai po udhëheq të fitojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut në prillin e ardhshëm.