Maqedoni

Zaev me premtim të ri për vaksinat kundër Covid-19

Tre mijë vaksina ruse Sputnik arrijnë të dielën në vend, ndërkaq tre mijë doza të tjera përmes mekanizmit Covax pritet të arrijnë në fund të marsit. Kryeministri Zaev paralajmëroi se Marsi do të jetë muaji i fillimit të vaksinimit të popullatës. Dritë jeshile ka edhe nga Astra Zeneca për furnizime të reja me vaksina.

“Të dielën i presim 3000 vaksinat përmes DHL. Ministri po organizohet së bashku me Ambasadorin t’i presin edhe ato t’i lëshojnë në qarkullim. Falë Zotit arritën informacione edhe nga Covax  se do ta respektojnë deri në fund të kuartalit të parë, me siguri edhe ato janë mes 20-30 mijë vaksina. Në muajin mars do të fillojë vaksinimi masiv përpos punonjësve shëndetësor do të vazhdojnë të vaksinohen të moshuarit, personat me sëmundje kronike e kështu me radhë. Ende presim nga Kina. Paraqiten oferta të reja nga Astra Zeneca sepse ata kanë sasi më stabile”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Ministria e Shëndetësisë dje njoftoi se deri në fund të këtij muaji pritet të arrijnë mbi 21 mijë vaksina Pfizer, ndërkaq deri në fund të vitit nga kjo kompani, sipas marrëveshjes, duhet të mbërrijnë mbi 800 mijë doza.

Ndërkohë, numri i rasteve të reja me Kovid është në rritje. Raporti i fundit javor i ISHP shpalosi se për një javë numri i rasteve të reja është rritur për 56,4% dhe se bëhet fjalë për një valë të re të virusit.

 

Vjollca Aliti

The post Zaev me premtim të ri për vaksinat kundër Covid-19 appeared first on Alsat.