Lajme

Weber: Negociatat në Bruksel u cenuan nga Grenelli dhe kolegët e tij në administratën Trump

Për Bodo Weberin, analist politik në Këshillin për Demokratizim, me seli në Berlin dhe Bruksel, bisedimet që po mbahen në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë më shumë sesa para-negociata. Shkaku, i ka thënë ai KOHËS, janë veprimet e të dërguarit të posaçëm të administratës Trump për dialogun, Richard Grenell si dhe kolegëve të tij brenda administratës.

“Mendoj se është e qartë për secilin që dëshiron ta shohë, ndonëse është e kuptueshme që nuk do të pranohet publikisht prej zyrtarëve të BE-së, se negociatat në Bruksel janë cenuar nga Grenelli dhe kolegët e tij në administratën Trump, përmes veprimeve të njëanshme dhe tërësisht egoiste që çuan te publiciteti i 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë njohësi i Ballkanit.

Duke e pasur parasysh një sfond të tillë, si ka thënë Weberi, negociatat e drejtuara nga Lajçaku që nga korriku aktualisht nuk mund të jenë më shumë se para-negociata.

Sipas tij, deri në janar të vitit të ardhshëm, kur administrata amerikane, varësisht prej zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, do ta lërë anash apo do t’i krijojë hapësirë BE-së, nuk mund të ketë ketë rifillim të mirëfilltë të negociatave apo ndonjë marrëveshje gjithpërfshirëse, të cilën BE-ja është duke e përgatitur që nga vjeshta e vitit të kaluar.

Takimet e caktuara gjatë javës së kaluar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi u anuluan. Arsye u tha të jetë COVID-19, teksa datat e reja të takimeve ende nuk janë caktuar.

Nga qeveria të shtunën i është thënë KOHËS se janë në pritje të takimeve të reja.

Weber thotë se kjo periudhë para rifillimit të negociatave të mirëfillta duhet që nga BE-ja të shfrytëzohet për ta detyruar Prishtinën dhe Beogradin që t’i shtrojnë në tavolinë qëndrimet fillestare rreth të gjitha çështjeve që duhet të jenë pjesë e marrëveshjes gjithpërfshirëse.

“Ky do të ishte një hap i madh përpara pasi që asnjëra palë nuk ka demonstruar gjatë tri vjetëve të kaluar gatishmëri për të definuar dhe vënë në letër platformën e saj”, ka thënë ai.

Kur është në pyetje Kosova, Weberi thotë se BE-ja do të duhej t’u kërkonte të gjitha partive në pushtet, por edhe atyre në opozitë, që ta paraqesin një plan se si synojnë t’i kapërcejnë dallimet për ta siguruar një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, për një marrëveshje përfundimtare.