Kult

Washingtoni nderon gjykatësen Ruth Bader Ginsburg me mural

Shumë amerikanë ende janë të pikëlluar ng

Shumë amerikanë ende janë të pikëlluar nga vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg. Në të gjithë vendin janë krijuar pika përkujtimore në nderim të saj.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan, ka folur me vizitorë tek një mural në Uashington, dedikuar gjykatëses:

“Është letra më e rëndësishme e një jete të tërë. Letra më e shkurtër dhe kuptimplotë që kam marrë,” thotë Lisa Wise, shefja ekzekutive e një kompanie në Uashington.

Gjykatësja Ruth Bader Ginsburg ia dërgoi këtë letër sipërmarrëses Lisa Wise, pjesëtare e komunitetit LGBTQ.

Në 2019 ajo vendosi t’i dedikonte Ginsburgut një pikturë në faqen e murit të ndërtesës ku ndodhet firma e saj.

Por, zonja Wise nuk e mendonte që Ginsburg do ta shihte nga afër muralen, apo se do ta falënderonte personalisht.

“Si grua, si themeluese e një firme, si sipërmarrëse, vlerësoj rrugën që ajo hapi dhe të drejtat që na garantoi e që gratë kudo në Shtetet e Bashkuara gëzojnë, jo thjeshtë për të arritur sukses, por për ta hapur këtë mundësi për gra nga të gjitha shtresat e ngjyrat,” thotë zonja Wise.

Vetë gjykatësja ishte një grua shtatvogël, por murali mbulon dy kate të ndërtesës në rrugën popullore “U Street” të kryeqytetit amerikan.

Pas vdekjes së zonjës Ginsburg, mijëra vetë kanë ardhur për të parë murin e zbukuruar në nderim të saj, kanë lënë lule e kanë ndezur qirinj për të kujtuar veprën e saj.

“Për mua kishte shumë rëndësi që të vija me vajzën këtu. Kemi marrë pjesë së bashku në marshime për të drejtat e grave dhe dua që ajo ta kuptojë sa gjëra të mëdha realizoi kjo grua dhe përse sot gëzojmë liritë dhe të drejtat që kemi si gra,” thotë Jennifer Flim, banore e Uashingtonit.

“Dua të nderoj kujtimin dhe veprën e saj sepse ajo dha aq shumë për mua dhe brezin tim,” thotë Zoe Flim, banore e Uashingtonit.

“Pas lajmit për vdekjen e saj, të gjithë u ndalëm për të reflektuar jo vetëm për ndryshimet e mëdha që ajo bëri të mundura për grupet e harruara dhe të keqkuptuara të Amerikës, por edhe për shpresën dhe vullnetin që u tregoi të rejave, se mund të arrijnë çdo gjë që ëndërrojnë,” thotë Kerry Hardy, banor i Merilandit.

Murali është vepër e artistes Rose Jaffe. Pas vdekjes së gjykatëses ajo lexoi shënime të lëna pranë murit:

“Një nga shënimet që më pëlqeu shumë thoshte: ‘Ruth Bader Ginsburg, ju e meritoni të preheni në paqe! Stafetën e kemi ne tani!’ Më pëlqeu sepse thotë që zonja Ginsburg ka bërë kaq shumë, e meriton të prehet tani dhe e kemi radhëm ne që të tregojmë forcën tonë,” thotë artistja. /voa/ KultPlus.com

The post Washingtoni nderon gjykatësen Ruth Bader Ginsburg me mural appeared first on KultPlus.