Lajme

“Vuçiqi si Millosheviqi, madje edhe më i fuqishëm”

Pas tetë vjetësh erozioni demokratik, regjimi i Aleksandar Vuçiqit është rikthyer në autoritarizëm total. Sot, ai ka më shumë fuqi politike se që kishte Sllobodan Milosheviqi në kulmin e tij në vitet e 90’-a, shkruan Filip Ejdus, president i Bordit të Qendrës për Politikë të Sigurisë në Beograd. Në një shkrim për “Euroactiv”, duke renditur qëndrimet e fundit të serbëve dhe besimin e tyre në Vuçiqin, Ejdus ka thënë se është vetëm mëshira e presidentit ajo që po mban “gjallë” raportet me Evropën. 

Teksti është ilustruar me sloganin “Gjithçka është njëjtë, vetëm ai nuk është” duke iu referuar ish-presidentit Sllobodan Milosheviq, nga një protestë e vitit 2017 në Beograd.

“Kosova është zemra e Serbisë”… “Fashistët e NATO-s”… “Rusia dhe Kina janë vëllezërit tanë”… “Amerikanët, kroatët dhe shqiptarët janë armiqtë tanë”. Në vitet e ’90-a, qëndrimet e tilla politike sikur këto përbënin themelin e propagandës nacionaliste të shtyrë nga regjimi autoritar i Sllobodan Milosheviq. Në tetor të 2000-s, ai u rrëzua. Serbia nisi të përmirësonte raportet me miqtë dhe Perëndimin, por këto ide të tij lidhur me regjimin mbijetuan. 20 vjet pas tranzicionit demokratik, Serbia ka kompletuar një cikël të plotë, thotë Ejdus. Sipas tij, gjithçka është kthyer në autoritarizëm.

Ai thotë se Qeveria, Parlamenti dhe mediat janë të gjitha nën kontroll të Vuçiqit. “Kjo u konfirmua edhe nga raporti i ‘Freedom House’ që uli pozicionin e Serbisë, për herë të parë në 17 vjet, në një kategori të shteteve pjesërisht të lira, në raportin e vitit 2020”.

Në shkrimin autorial, Ejdus ka vazhduar duke komentuar një hulumtim të kryer nga kjo qendër në tetor të sivjetmë. Aty shumica e serbëve dolën kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e 57 për qind e tyre donin lidhjen me Rusinë dhe Kinën. 68 për qind e pjesëmarrësve në hulumtim kishin thënë se ndikimi i BE-së në Serbi ka qenë negativ, ndërsa ndikimi i Kinës (87 për qind), Rusisë (72 për qind) dhe Hungarisë (70 për qind) ishte parë si pozitiv. Edhe pse përkrahja për anëtarësim në NATO s’ka qenë kurrë e lartë në Serbi, ajo tash ka arritur shifrën më të ulët historike – 3 për qind. Kroacia (20 për qind) dhe Shqipëria (30 për qind) udhëhiqnin listën e armiqve. 72.7 për qind e pjesëmarrësve s’pritnin se do të ketë paqe mes serbëve e shqiptarëve. 54 për qind e tyre i frikësohen krijimit të “Shqipërisë së madhe”, ndërsa 58 për qind e tyre përkrahin Serbinë e madhe. Kur bëhej fjalë për Kosovën dhe dialogun e normalizuar nga BE-ja, 71 për qind e serbëve konsiderojnë se dialogu s’ka ndryshuar asgjë, dhe 73.2 për qind s’presin marrëdhënie normale e paqeje së shpejti. Derisa 7.8 për qind e tyre e njohin Kosovën shtet në kufijtë aktualë, 53.2 për qind e pjesëmarrësve nuk presin që të arrihet ndonjëherë marrëveshje finale mes dy vendeve.

Të gjitha këto të dhëna, sipas Ejdusit, kanë një përfundim.

“Rezultatet e sondazhit demonostrojnë qartë që mbikëqyrja perëndimore e tranzicionit demokratik në Serbi ka humbur legjitimitetin e brendshëm. E vetmja gjë e cila, sado e trilluar, e lidh Serbinë me projektin evropian, është mëshira e Aleksandar Vuçiqit”, ka thënë ai duke shtuar se nëse ai do të shkëpuste haptas këto lidhje dhe do të hartonte një kurs të ri gjeopolitik në gjurmët e Vladimir Putinit, Victor Orbanit apo Recep Tayyip Erdoganit, do të prekte shumë pak autoritetin e tij.