Lajme

Vuçiq: Nuk pres presion në Bruksel, por bisedime për të ardhmen e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas tak

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, tha se nuk pret presion në Bruksel, transmeton Insajderi.

Ai u shpreh se të dielën do të udhëtojë për në këtë shtet, ku do të ketë bisedime të rëndësishme me Charles Michel, Josep Borrell dhe Ursula von der Layen.

Vuçiq pohoi se në këto takime pret të bisedojë për të ardhmen evropiane të Serbisë.

“Unë jam duke shkuar në Bruksel, nuk pres presion, por bisedime mbi të ardhmen evropiane të Serbisë. Unë pres bisedime me Lajçak mbi vazhdimin e dialogut, i cili besoj se do të jetë në mes të majit”, nënvizoi presidenti serb.

Ai tutje shtoi se “është një situatë e vështirë për ne”.

“Ne po mbrojmë interesat e Serbisë në një kohë jo aq të lehtë”, tha ai.

Vuçiq në një intervistë për mediumin serb RTS tha se Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës do rreshtohen në anën e Kosovës në dialog.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Gjermania është një nga partnerët tanë kryesorë dhe duhet të kujdesemi për çdo fjalë që themi. Ata do të jenë në anën e Prishtinës, njësoj do veprojë edhe ShBA-ja, nuk ka surpriza të mëdha për ne”, deklaroi i pari i Serbisë.

Vuçiq shprehi po ashtu shqetësim për deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila paralajmëroi padi për Serbinë për gjenocidin e kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe Vuçiq do të takohen veç e veç në Bruksel të dielën me Charles Michel, Josep Borrell dhe Ursula von der Layen./Insajderi.com