Lajme

Vrasja në shtëpinë e Marsidës, telefoni fundos oficerin e Burgjeve

Edhe pse në fillim u raportua si krim pasioni,

Edhe pse në fillim u raportua si krim pasioni, apo vrasje për motive xhelozie, hetimet për vrasjen e Dritan Haxhollit në shtëpinë e Marsida Qatjas në Kavajë tashmë janë orientuar tek prishja e pazareve të drogës. Në telefonin e autorit të vrasjes, Bledar Toçi si dhe në telefonin e viktimës janë gjetur sms që flasin për shitje kokaine. Ish-oficeri i Policisë së Burgjeve, Bledar Toçi, mbeti dhe vetë i plagosur nga përplasja me armë me Haxhollin.

Burime nga grupi hetimor thanë se në telefonin e Haxhollit janë zbuluar mesazhe që ai ka shkëmbyer vazhdimisht me Toçin, ku flitej për shuma të ndryshme parash.

Para që, sipas hetuesve, kanë të bëjnë me shitje kokaine, nisur edhe nga fakti se viktima ishte përdorues.

Burimet për Gazeten Panorama shtojnë se aty janë gjetur edhe komunikime në formë kërcënimesh që Haxholli kishte shkëmbyer edhe me persona të tjerë në Kavajë, të cilëve u kërkonte para. Po kështu, edhe në telefonin e të dyshuarit, Bledar Toçi, janë gjetur sms të shkëmbyera me viktimën.

Prokuroria i kërkoi veprime shtesë Policisë së Kavajës, pasi nuk kishin mbledhur prova të nevojshme për mbetjet e lëndës narkotike, të llojit kokainë, që u gjet në sallonin e apartamentit të Marsida Qatjas, ku u vra Dritan Haxholli.

Nga ana tjetër, vetë 30-vjeçarja ka deklaruar para oficerit të Policisë Gjyqësore se është përdoruese e drogës dhe me raste të rralla përdor kokainë. Madje, ka deklaruar se edhe natën kur ndodhi ngjarja, ka përdorur kokainë, duke theksuar se nuk e kishte blerë ajo, por e kishte gjetur në pjatë, ku e kishte vendosur miku i saj, Xhuljo.

Gjykata e Kavajës, më 17 tetor, pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Marsida Qatjan, pas vrasjes së Dritan Haxhollit në banesën e saj, ku nga hetimet rezultoi se ishte konsumuar edhe kokainë. Për përshtatje të ambienteve për përdorim droge, Prokuroria nisi zyrtarisht hetimet ndaj Qatjas, duke kërkuar për të “detyrim paraqitje”.

Gjithashtu, Prokuroria ka sekuestruar edhe pasaportën e Qatjas, pasi ka pasur informacion se do të dilte jashtë vendit dhe i ka kërkuar të mos flasë më në media për ngjarjen, pasi është person që ka dijeni dhe mund të dëmtojë hetimet.

Nga ana tjetër, Gjykata ka urdhëruar shërbimet sociale në Bashkinë e Kavajës që të monitorojnë fëmijët e Marsida Qatjas. Për fëmijën 2-vjeçar, që ajo ka nga martesa e dytë, është vendosur që të ketë kujdestari të përbashkët me prindërit e saj, duke qenë se bashkëshorti ndodhet në burg në Gjermani dhe e ka të pamundur të ushtrojë kujdesin prindëror. Ndërsa për dy fëmijët që ajo ka nga martesa e parë, ndonëse Gjykata në vendimin e divorcit ia kishte lënë asaj në kujdestari, tashmë do të kujdeset edhe ishbashkëshorti i Marsidës. Megjithëse vetë ky person nuk ka pasur asnjë kundërshtim për sjelljen e saj karshi djalit 14 vjeç e vajzës 9 vjeçe.


Etiketa: , , , , , , ,