Lajme

Vrasja e prindërve në Prizren, djali do të gjykohet në Suedi

Adriatik Hadri, i dyshuar për vrasjen e prindërve në Prizren, do të gjykohet në Suedi, në mungesë të një marrëveshje për ekstradim në Kosovë. Procedura penale ndaj tij është transferuar atje para rreth tetë muajsh. Për të rejat rreth këtij rasti, ka folur prokurori suedez.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Në fund të janarit të këtij viti, Durim e Suada Hadri u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Çifti kishte vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

Vrasjen e çiftit me shtetësi suedeze dyshohet se e kreu djali i tyre, Adriatiku, i cili kishte ikur menjëherë nga Kosova. Ai ishte arrestuar më pas në Suedi, në fillim të marsit.

E në po këtë shtet edhe do të zhvillohet gjykimi për të. Autoritetet kosovare e kanë transaferuar procedurën penale ndaj tij në shtetin suedez para më shumë se tetë muajve.

Por, deri ku kanë shkuar procedurat për këtë rast dhe a ka nisur gjykim për Hadrin?

Prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik, ka thënë se gjykimi për këtë rast nuk ka filluar ende, por se po presin që ta dërgojnë rastin në gjykatë mes dhjetorit e janarit.

E për motivin që dyshohet se e ka shtyrë A.Hadrin që t’i vrasë prindërit, Calmvik nuk ka pranuar të jap hollësi në këtë fazë të hetimit.

“Hetimi tani është rishikuar nga i dyshuari dhe avokati i tij dhe ne presim që rastin ta dërgojmë në gjykatë dikur mes dhjetorit dhe janarit. Prandaj, gjykimi nuk ka filluar ende. Ne nuk mund të futemi në hollësi sa i përket motivit në këtë fazë të hetimit”, ka deklaruar Calmvik.

Nga Suedia i kanë përgëzuar prokurorët dhe policinë e Prizrenit për punën në këtë rast.

“Ne gjithashtu do të donim të themi se kemi marrë shumë ndihmë nga prokurorët dhe policia në Prizren, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme në këtë rast”, thuhet në përgjigjet e prokurorit.

Durim e Suada Hadri

Procedura penale ndaj Hadrit është transferuar në Suedi, shkaku i pamundësisë që të ekstradohet në Kosovë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, ka thene se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm.

“Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, ka thënë Mehmeti.

Në mungesë të një marrëveshje të tillë, Prokuroria e Prizrenit kishte parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, kërkesë e cila kishte marrë miratimin e autoriteteve suedeze.

“Andaj, në këto rrethana, Prokuroria Themelore në Prizren përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka parashtruar kërkesë për transferimin e procedurës penale kundër të pandehurit A.H., nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, e cila kërkesë edhe është aprovuar nga autoritetet suedeze”, kishte thënë Mehmeti.

Shtëpia ku ndodhi vrasja e çiftit nga Prizreni – Lagjja e Ortakollëve

Ndërkohë, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar në vend kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kishin qenë vrasje të rënda.

Bazuar në këto të dhëna, shumica e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Prishtinë dhe Prizren.