Lajme

Vrasja e Klodian Rashës, Prokuroria zbardh akuzën për policin Nevaldo Hajdaraj, ja sa vite burg rrezikon

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur akuzën ndaj efektivit të policisë, Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria ka lajmëruar se tashmë Nevaldo Hajdaraj do të akuzohet për “vrasje me dashje”.

Sipas tyre, filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Më tej njoftohet se arma e gjetur në pellgun e ujit, ka mbetur ende e paidentifikuar. Me ndryshimin e akuzës, polici Nevaldo Hajdaraj rrezikon deri në 20 vite burg. 

Shkak për ndryshimin e kësaj akuze është bërë fakti se Hajderaj ka qëlluar dy herë me armë në drejtim të Rashës, dhe mes tyre nuk ka pasur një konfrontim që mund të justifikonte faktin e veprimit në kushtet e vetëmbrojtjes.

Prokuroria këmbëngul në versionin e saj se mes dy personave nuk ka pasur konflikt fizik, dhe fakti që Polici ka qëlluar dy herë, është në shkelje të plotë me ligjin e përdorimit të armëve nga punonjësi i Policisë.

Sipas Prokurisë nga kqyrja e kamerave të sigurisë, që sipas burimeve janë 60 të tilla, në aksin ku është zhvilluar ngjarja, tabloja e veprimeve të të dy personave është e qartë, dhe nuk lë vend për dyshime.

Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashes. Këndi i goditjes se Klodian Rashës, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimes. Filmimi ka zbuluar se Klodian Rasha, është qëlluar nga polici teksa ishte duke u larguar me vrap në rrugicën që të çon në banesën e tij.

Ndërkohë, ajo që mbetet pa u konfirmuar ende, është arma që u gjet pranë vendit të ngjarjes, e që sipas Policisë në njoftimin fillestar, thuhej se i përkiste Rashës. Për ekspertët është bërë i vështirë identifikimi i gjurmëve të gishtave, për shkak se arma ka qëndruar pak kohë në një pellg me ujë, çka e bën të vështirë identifikimin.