Lajme

Votimi për anëtaret e Kushtetueses, reagon zëdhënësi i Metës

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi reagoi

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi reagoi në facebook, pasi parlamenti votoi anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.

“Asgjë e re nga fronti i Ramaformës! Presidenti Meta vazhdon vizitën në Paris dhe kur të kthehet në Shqipëri do të ndajë vlerësimet e tij me qytetarët shqiptarë!” shkruan Blushi.

Më herët, vetë Meta u kishte kërkuar deputeteve të parlamentit të mos bien pre e marifeteve të mazhorancës për të uzurpuar Gjykatën Kushtetuese, por kërkesa e tij nuk u mor në konsideratë. Parlamenti votoi me 105 vota pro dy anëtaret e reja të Kushtetueses. Në këtë votim duhej shumicë e cilësuar 3/5 dhe opozita e re i bashkoi votat me PS-në.

Statusi i Metës në mëngjes përpara votimit:

Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!

Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!

Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!

Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!

Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!


Etiketa: , , , ,