Kosovë

Votat e minoriteteve, dërgohen ankesa në PZAP

Duda Balje ka parashtruar ankesë në PZAP, të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe Veton Berisha.

10 ulëse i kanë të siguruara në Parlament.

Por duket se Lista Serbe, po planifikon të kontrollojë më shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo duke i udhëzuar komunitetin serb në Kosovë që të votojë kandidatë të caktuar për deputetë nga minoritetet jo-serbe.

Të paktën kështu thotë Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, i cili e humbi një mandat të partisë së tij si pasojë e kësaj.

Berisha gjithashtu bën thirrje tek institucionet e vendit që mos ta lejojnë një gjë të tillë, teksa paralajmëron ankesa prej PZAP-së e deri tek Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë Gazmen Salijevic nga iniciativa rome që po akuzohet se ka marrë vota nga serbët, po e mohon të ketë marrëveshje me Listen Serbe.

Ky thotë se gjuha e përdorur nga Veton Berisha është raciste.

E njëjta gjë po i brengos edhe boshnjakët.

Madje Duda Balje nga ky komunitet ka parashtruar ankesë në PZAP kundër iniciativës së Adriana Hoxhiq e Rasim Demirit, për keqpërdorim të votës së komunitetit jo boshnjak.

Duda Balje ka paraqitur ankesa kundër iniciativës qytetare Adriana Hodzic në Mitrovicë Veriore dhe koalicionit Vakat- Rasim Demiri në Prizren në të cilat pretendohet se nga ana e iniciativës qytetare Adriana Hodzic në Mitrovicë Veriore dhe  Rasim Demiri në Prizren është bërë shkelje e procedurave ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në atë mënyrë që me qëllim të manipulimit  të vullnetit të komunitetit boshnjak është bërë keqpërdorimi i të drejtës së votës nga komuniteti jo boshnjak në komunat Leposaviq, Novobërdë, Shterpc, Zubin Potok, Zveqan, Graçanicë, Ranilluk, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë Veriore

Në krah Duda Baljes i kanë dalë edhe 50 organizata jo qeveritare boshnjake në Kosovë, të cilat thonë se nuk pranojnë si përfaqësues ata politikanë që u zgjodhën me vota të komuniteteve tjera.

Ndërkohë disa ditë më parë në emisionin Frontal në T7, edhe Hoxhiq ka mohuar se ka marrëveshje me Beogradin apo Listen Serbe.