Maqedoni

VMRO-ja lëshon debatin parlamentar për euro-integrimet

Për herë të parë pas Samitit të Këshillit Evropian, zv. kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, para deputetë, sqaruan pozitën aktuale të vendit. Opozita maqedonase lëshoi sallën që në fillim të seancës, siç tha, për t’i lënë hapësirë pushtetit për lëvdata dhe duartrokitje për mos-suksesin.

Në vend të dorëheqjes për shkak të përgjegjësisë morale, sot Osmani dhe Dimitrov edhe një herë do t’u ofrojnë sqarime manipuluese, jam i sigurtë që të dy do të heqin dorë nga deklaratat e tyre të vitit të kaluar për marrjen e datës, por nuk do të heqin dorë nga kolltuqet e tyre ministrore. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë parodi – deklaroi Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE.

Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov deklaroi se po të ishte në vend të opozitës, do t’i vinte turp të fliste për BE-në.

Jo vetëm që është arrogancë politike dhe turp të fajsohet kjo qeveri dhe ky shtet për këtë gabim në Samitin e Evropës por të vijë prej atyre, prej njerëzve që asnjëherë s’na kanë dërguar më larg se ky qëllim strategjik, të cilët na futën në dhe dhe e mbyllën rrugën të mos kishte dalje përpara, prej tyre tani vinë akuzat. Do të më vinte turp të flisja për BE-në, t’i shqiptoja shkronjat B, E. – deklaroi Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.

Dimitrov përveç që akuzoi opozitën se ka penguar më qëllim miratimin e ligjit për Prokurorinë Publike, kërkoi që të mos jetë i patjetërsueshëm eurointegrimi në pako i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Gjendja në vendet e tjera nuk është aspak në duart tona dhe nuk mund të kushtëzohemi me suksesin ose mos-suksesin e vendeve të tjera. Ne kemi interesim që Shqipëria të ketë sukses sepse jemi fqinj të mirë dhe nuk e kemi problem të jemi në pako nëse pakoja nënkupton dy drita të gjelbërta por e kemi problem të varemi nga kushtet mbi të cilat ne s’kemi aspak ndikim – tha Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.

Dimitrov shtoi se Marrëveshja e Prespës nuk do të mund të zbatohet në tërësi nëse prolongohet fillimi i negociatave, meqë pikërisht kjo është një nga shtyllat e marrëveshjes. Zv. kryeministër për çështje evropiane Bujar Osmani tha se vendi nuk duhet të dorëzohet për arritjen e qëllimit strategjik.

Këtë ndjenjë zhgënjimi nuk duhet ta lejojmë të na largojë nga vlerat evropiane, nuk duhet të na largojë nga rruga e reformave, nga rruga e krijimit të miqësisë me fqinjët tanë, nga rruga e krijimit të shoqërisë funksionale multietnike, nga rruga e krijimit të shtetit evropian sipas rregullave, standardeve dhe vlerave evropiane. Ne nuk mundemi dhe nuk kemi të drejtë të dorëzohemi. Nuk kemi të drejtë sepse ne veçmë jemi në tavolinë me më të fuqishmit – theksoi Bujar Osmani, zv. Kryeministër për çështje evropiane.

Deputetë të tjerë të opozitës të cilët kishin mbështetur një pjesë të ligjeve reformuese kërkuan që meritat për arritjet të mos përvetësohen.

Edhe opozita edhe pushteti, kur flasim për BE-në, meritojnë edhe lëvdata edhe kritika. Askush nuk mund ta marrë këtë proces mbi vete dhe mendoj se të gjithë kemi hapësirë, vend dhe rol në atë që ndodh. Duhet të jemi të sinqertë se ka edhe shumë për t’u bërë dhe të mos krijohet përshtypje se kjo është e gjitha – u shpreh Nolla Ismajllovska, grupi i pavarur i deputetëve.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të marrin datë për fillimin e negociatave pas kundërshtimit të Francës, Holandës dhe Danimarkës.

Fatlume Dervishi

Loading…