Lajme

Vlorë/ Basha: Do krijojmë projekte ekonomike që të rinjtë të mos largohen

Në ditën e katërt të takimit të tij me të

Në ditën e katërt të takimit të tij me të rinjtë, në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, pas Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës kreu i PD-së është ndalur sot në qytetin bregdetar të Vlorës.

Në një bashkëbisedim me të rinjtë atje, gjatë fjalës së tij Lulzim Basha u shpreh se Vlora, si një qytet me bukuri të rrallë dhe me shumë mundësi për zhvillimin e turizmit, i ka të gjitha mundësitë për të krijuar vende pune për të rinjtë.

Basha u zotua se me anë të projekteve ekonomike, do bëhet e mundur që të rinjtë të punësohen me paga dinjitoze dhe të mos e braktisin qytetin apo vendin e tyre.

“Çfarëdo që të bësh në vend të huaj, nuk ndihesh njësoj si në vendin tënd. Arritja të shijon më shumë në shtëpinë tënde. Sot jemi në një Vlorë dhe në një Shqipëri që ofron vetëm papunësi, paga të ulëta, boshllëk në ekonomi. Jetojmë në një vend ku arsimi i lartë është në krizë të rëndë. Rinia po vuan pasojat e një braktisjeje totale nga qeveria. Vullnet politik për të ndihmuar rininë nuk ka. Prandaj për fat të keq rinia është grupi më i madh që po i drejtohet emigracionit. Plot 38 mijë të rinj të larguar vitin e kaluar. Sepse këtë rrugë i lë qeveria, rrugën e emigrimit. Po s’ka pse të jetë kështu. Shikoni Vlorën, këtë bukuri të rrallë ku ka plot mundësi punësimi. Zotimi im kryesor për ju sot është: Ne do krijojmë vende pune nëpërmjet projekteve ekonomike, vende pune me paga dinjitoze, projekte që do bëjnë të mundur, sigurisht me dëshirën tuaj të lirë, që të mos largoheni nga Vlora apo nga Shqipëria. Ta ndërtoni këtu të ardhmen tuaj”, u shpreh Basha.

Kreu i Partisë Demokratike, për sa i përket arsimit, shtoi se çdo student që vjen nga një familje me të ardhura mujore më pak se 640 mijë lekë te vjetra, do të përfitojë rimbursim 100% të tarifës së studimit.


Etiketa: , ,