Kosovë

Vjosa Osmani suspendon nga detyra sekretarin e Presidencës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani ka suspenduar nga detyra Driton Gashin, sekretarin e Zyrës së Presidentit, raporton Insajderi.

Bazuar në burime të mirëinformuara, Gazeta Insajderi ka mësuar se ish-shefi i AKI-së është suspenduar nga detyra mbi dyshimet për implikimin në përpjekjet për hapjen e kasafortës së sigurisë në Zyrën e Presidentit.

Lajmin për suspendimin e Gashit nuk e ka pohuar e as mohuar Bekim Kupina, këshilltari për media i Vjosa Osmanit, në një bisedë me Insajderin. Ka thënë se është i zënë në një takim zyrtar.

Suspendimi i Driton Gashit nga presidentja në detyrë ndërlidhet me tentim-hapjen e kasafortës së sigurisë, ka mësuar Insajderi.

Ngjarja kishte ndodhur në ditën e parë të punës së Vjosa Osmanit në Presidencë.

Një pjesëtar i AKI-së kishte shkuar në Presidencë dhe në prezencën e sekretarit Driton Gashi, kishte tentuar ta hapte kasafortën e sigurisë ku ndodheshin dokumentet e klasifikuara.

Justifikimi që kishin dhënë ishte se EULEX-i donte ta bastiste Presidencën, informatë që misioni evropian e pati përgënjeshtruar pastaj.

Driton Gashi para se të bëhej sekretar në Presidencë kishte qenë shef i AKI-së. Ai ishte zgjedhur sekretar i Zyrës së Presidentit, në kohën kur ky institucionet udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Mirëpo, në një prononcim për Klan Kosovën të enjten, Gashi ka mohuar hapjen e kasafortës. Ka thënë se dëshmitar i ngjarjes ka qenë edhe Vjosa Osmani.

“Unë kam qenë dëshmitar në këtë ngjarje bashkë me u.d. e presidentes dhe zyrtarin e AKI-së. Unë jam dëshmitar i ngjarjes krahasuar me të tjerët që po deklarohen në studio se është hapur sefi. Nuk është hapur sefi”, tha Gashi në një lidhje telefonike në Klan Kosova.

Ai po ashtu u shpreh se çdo gjë është bërë në mënyrë protokolare, “është njoftua AKI jo për të marrë informacione, por ka ndodhur për shkak se informacionet kanë qenë të AKI për presidentin dhe prodhuesi i informacionit është thirrur për të mbrojtur atë informacion që gjendet aty”.

Gashi mohoi disa herë se nuk kanë hapur kasafortën e Presidencës, ndërsa shtoi se për të gjitha veprimet e tij dhe të inspektorit të AKI-së kanë qenë të njoftuar kabineti i u.d. të presidentes Vjosa Osmani.