Lajme

Vjosa Osmani dhe Avdullah Hoti u koordinuan për largimin e shefit të AKI-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe u.d. së presidentit të vendit, Vjosa Osmani, kanë pasur koordinim dhe dakordim të plotë për lirimin nga detyra të drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi.

Madje, u.d. së presidentit ka kërkuar nga kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, këtë informacion e ka konfirmuar kabineti i Osmanit.

“Ka pasur koordinim dhe dakordim të plotë ndërmjet u.d. Presidentes, dr. Vjosa Osmani dhe kryeministrit Hoti sa i përket lirimit nga detyra të drejtorit të AKI-së. U.d. Presidentja ka kërkuar nga kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, mbi bazën e profesionalizmit, paanësisë politike dhe integritetit”, ka konfirmuar për Bekim Kupina, këshilltar për Media i u.d. së presidentit.

Sipas Ligjit për Agjencinë e Inteligjencës 03/L 063, shkarkimi i shefit të AKI-së bëhet në koordinim mes presidentit të vendit dhe kryeministrit.

Edhe emërimi bëhet përmes procedurës së njëjtë. Një gjë e tillë specifikohet në pikën 5.3 dhe pikën 5.4.

“5.3 Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

5.4 Drejtori i AKI-se shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar”, thuhet në Ligjin për AKI-në.

Ndryshe, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot i ka kërkuar shefit të Inteligjencës kosovare, Kreshnik Gashi, që të lirojë pozitën e tij.

“Sot, kam kërkuar nga z. Kreshnik Gashi, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI)”, ka shkruar Hoti në profilin e tij zyrtar.

Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyra e kryeministrit Hoti për arsyen e shkarkimit të Gashit por zyrtarë të saj ka thënë se momentalisht “nuk mund të japin më shumë detaje”.

Ndërsa, për shkarkimin nuk është prononcuar akoma Kreshnik Gashi.

Kreshnik Gashi është emëruar drejtor i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, më 25 nëntor 2019. Para se të emërohej në këtë pozitë ai ka mbajtur pozita të larta institucionale dhe menaxheriale në sektorin publik.