Lajme

Vitia: Negociatat për sigurimin e vaksinave po vazhdojnë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë s

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se duke u bazuar në situatën epidemiologjike para disa ditëve janë marrë masa për disa sektorë. Ai ka thënë se ky ka qenë veprim i duhur dhe i nevojshëm për ta vënë në kontroll situatën, njofton Insajderi.

“Qasja duhet të jetë në dinamikë të vazhdueshme. Në Ministrinë e Shëndetësisë është krijuar ekipi i cili do të bëjë rishikimin e udhërrëfyesit për OVID-19 dhe nxjerrjen e protokolleve klinike në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor. Nga trupa profesionale, IKSHPK, është kërkuar që të përgatitet plani i ri për testime”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se negociatat me kompanitë prodhuese të vaksinave po vazhdojnë dhe janë në rrugën e duhur, duke shtuar se nga edhe procesi i vaksinimit po vazhdon dhe se nga muaji maj do të intensifikohet me arritjen e vaksinave të reja.

Sipas tij, situata para 7 prillit ka qenë dhe mbetet e papranueshme.

Vitia ka shtuar se masat para 11 ditësh janë në kuadër të një qasje të re që vepron në përputhje me parandalimin e virusit.

Ai ka akuzuar ish-Qeverinë Hoti se ka injoruar prezencën e virusit.

“Fatkeqësisht realiteti i krijuar në këto 10 muaj që lamë pas ishte injorimi i prezencës së virusit dhe kjo qasje ka sjellë në gjendjen që jemi sot e ne po mundohemi ta vëmë në kontroll, duke pasur prioritet shëndetin. Duke u bazuar në disa faktor, ne kemi marrë vendim që të heqim kufizimet e vendosura para 11 ditëve. Po heqim pjesërisht kufizimet por po shtojmë udhëzimet. Nëse nuk respektohen atëherë jemi të detyruar t’i kthejmë kufizimet”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se janë duke negociuar me kompanitë e vaksinave të aprovuara për të siguruar ato.

“Tema e vaksinave është e ndjeshme dhe informatat e pa verifikuara mund ta dëmtojnë vendin. Jemi përfshirë në një diskutim publik i cili është i kufizuar nga një nivel i konfidencialitetit e që nuk është i përcaktuar nga ne. Shkelja e këtij konfidencialitetit rrezikon negociatat prandaj kërkojmë durimin e besimin tuaj. Ajo që mund të garantojë është që ekipi negociues për sigurimin e vaksinave është profesional”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se nuk mund të japë detaje të negociatave dhe informatat e publikuara nuk janë të plota./Insajderi.com