Kult

Vitet e 80-ta inspirim për koleksionin e ri të Merita Harxhi-Kocit (FOTO)

Jeta Zymberi

Kohët e kaluara kujtohen m

Jeta Zymberi

Kohët e kaluara kujtohen me shumë nostalgji, ajo nostalgji për shumëkënd kthehet në inspirim. Njëjtë ka ndodhur me disenjatoren Merita Harxhi Koci e cila vitet e 80-ta i ka si pikënisje për krijimin e koleksionit të saj më të ri, shkruan KultPlus.

Sipas Meritës, vitet e 80-ta janë periudha e fundit në këto dekada, ku femra ka synuar të duket e bukur në mënyrë natyrale.

“Fustanet e këtij koleksioni, janë të dizajnuara enkas për festat e fundvitit, dhe në një mënyrë përmbajnë në vete retro-glamur. Në fakt, jam inspiruar me modën e viteve 80 – ta, periudhë e cila e thekson sensualitetin e femrës në mënyrë suptile. Pas kësaj kohe, fillon edhe përdorimi në masë i operacioneve plastike dhe botox-it”, ka thënë Merita për KultPlus.

Disenjatorja tutje ka folur për periudhën e viteve 80-ta, në kohën kur ajo ishte një vajzë e re me një pasion të theksuar për modën.

“Këtë koleksion e kam bërë me shumë kënaqësi, për shkak se ajo ka qenë mosha e rinisë sime të hershme, kohë kur kam filluar të eksperimentoj me veshje. Në atë kohë, shumicën e gardërobës e kam dizajnuar dhe qepur vet. Natyrisht, më ka ndihmuar edhe nëna ime, e cila ka shije dhe talent të jashtëzakonshëm për dizajnimin dhe qepjen e rrobave”.

Gjatë kësaj periudhe shija e saj ishte mjaft e rafinuar, ku për vete ajo dizajnonte fustane të shkurt, këmisha me mëngë të gjëra me rrudha te krahët. Në pjesët e poshtme të fustanit ka preferuar të përdor ngjyra të forta. Ishte koha kur ajo eksperimentonte me materiale të lehta, rrëshqitëse dhe me shkëlqim.

“Shumica e këtij koleksioni është të themi një rimake apo një reminishencë e gardërobës që e kam veshur gjatë viteve 1988 dhe 1989. Prandaj, edhe e kam punuar me shumë dashuri dhe emocion”.

Përkundër këtij përkushtimi dhe dashurie për këtë koleksion, Merita ka vendosur çmimet të jenë të arsyeshme, me idenë që çdo vajzë që punon të mund t’ia ofroj vetes një fustan për festat e fund vitit, ose të ja bëjë dhuratë dikujt.

“Pra, thjesht, meqë periudha e viteve 80-ta është koha kur kam filluar të dizajnoj për vete, kohë e artë për mua, krejt koleksionin do ta ofroj me fitime minimale”, ka përfunduar Merita për KultPlus, duke premtuar që do të vazhdoj të sjell koleksione shumë të bukura në të ardhmen e afërt. / KultPlus.com