Opinione

Vini re! Vini re!

Filloi fushata elektorale.

Filloi fushata elektorale. Pak veta kanë vënë re protestat e personave me aftësi të kufizuar, kjo edhe për faktin se ngjarjet e ditës kanë qenë me efekt të fortë me interesat publike dhe politike. Dolën para Kryeministrisë shoqata e prindërve të fëmijëve me pluridifekt, dolën paraplegjikët dhe më 15 tetor dolën edhe të verbrit, të bashkuar rreth shoqatës së tyre. Thelbi dhe motivi i protestave është reforma denigruese e miratuar me vendimin 380 të qeverisë më dt. 05.06.2019, si dhe dorëheqja e zv.ministres Kospiri. Ata të gjithë kundërshtojnë reformën me forcën e shpirtit, me fjalë të zgjedhura e të pazgjedhura, me mendime dhe ide të qarta dhe të paqarta.

Prej vitesh ata kanë ndjerë cinizmin dhe neverinë që politika ka treguar për ta. Sot ata që protestojnë janë të qartë për dëmin që po u shkakton reforma, por janë të përçarë si rezultat i metodave dhe mekanizmave që ministria përdor.

Po si është e vërteta mbi reformën?

Krejt në të kundërtën e asaj që propagandon ministria, bashkëpunëtorët dhe tepsi lëpirësit e saj, reforma është në thelb reduktim haptas i pagesave dhe i përfitimeve që janë marrë deri më sot. Në dokumentin e politikave të reformës, miratuar me VKM 380 të qeverisë dt. 05.06.2019, thuhet shumë qartë se synojmë të kursejmë 27% të fondit buxhetor. Nga ana tjetër, propaganda mediatike deklaron se do të kemi rritje të pagesave. Pagesa aktuale për një të verbër është rreth 121.000 lekë (të vjetra). Pagesa bazë e propozuar është sa 150% e pensionit social, pra që i bie 105.000 (të vjetra).

16.000 lekë më pak në muaj a është një reduktim?

Më e keqja e reformës nuk është reduktimi i pagesave, por eliminimi plotësisht i tyre. Në VKM-në 431/2016, 150/2018 si dhe në dokumentin politik të reformës, thuhet qartë se ata që kanë pension invaliditeti apo pleqërie duhet të zgjedhin në mes tyre dhe pagesës së aftësisë së kufizuar. Pra o njërën, o tjetrën. Këto vendime kanë qenë të paligjshme deri me shfuqizimin në korrik të 2019-ës, të ligjit 93/55 dt.10.03.2005, “Për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore”.

Me shfuqizimin e këtij ligji u shfuqizua edhe neni që kishte përcaktuar qartë se pagesa e aftësisë së kufizuar përfitohet pavarësisht nga të ardhurat e tjera. Ky shfuqizim i jep dorë të lirë qeverisë për të ndërprerë pagesat e aftësisë së kufizuar si të dojë e kur të dojë. Reforma ka probleme të thella dhe cenime të rënda të të drejtave të fituara, por është më e dobishme të merremi me proceduarat dhe qëndrimet ndaj këtyre politikave.

Si po përballohet qeveria? Propagandë, sjellje diplomatike dhe me kolor, sulme ‘underground’, krijim rrethanash për përçarje të grupeve të interesit. Edhe pse mediatikisht nën drejtimin e zv.ministres Kospiri, media ka bërë një presion të jashtëzakonshëm për t’u mbushur mendjen personave me aftësi të kufizuar dhe familjeve të tyre që reforma nuk i përkeqëson përfitimet e tyre, por përkundrazi do t’i rrisë, kjo nuk ka sjellë mbylljen e gojës së tyre. Në emisionet televizive dhe telefonatave të mëngjesit, ata kanë shfryrë haptas pakënaqësitë e tyre.

Qeveria e shqetësuar nga pakënaqësitë në rritje të komunitetit, në mënyrë direkte dhe indirekte ka mbështetur lëvizje individësh dhe grupe brenda komunitetit për të marrë ata përsipër kamuflimin dhe turbullimin e mëtejshëm të situatës. Është interesant angazhimi i Shërbimit Social pranë bashkive në disa rrethe, por veçanërisht në Tiranë. Janë pikërisht punonjësit e këtyre zyrave, që kanë ftuar të verbrit  nëpër takime në emër të shoqatës së të verbërve të Shqipërisë, me arsyetimin se do takohen me presidentin  e tyre. Por, ata janë ballafaquar me individë të tjerë të panjohur prej tyre, por që kanë deklaruar se  përfaqësojnë një shoqatë tjetër. Në këtë moment ata  janë revoltuar dhe kanë kërkuar llogari se përse janë thirrur. Punonjësi social ndodhur përballë revoltave e ka rritur presionin duke u thënë se të gjithë ata që refuzojnë të jenë anëtarë të kësaj shoqate, do të dërgohen për rikomisionim, ku në prioritet do të jenë ata që do të propozohen nga kjo shoqatë.

Është interesante të thuhet se mbështetësit e qeverisë në këtë rast janë të parët që duhet të rikomisionohen, pasi edhe pse gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë dhe duke iu paguar edhe shoqëruesi, ata ndoshta nuk meritojnë as grupin e dytë, pasi dikur kanë qenë invalidë pune të grupit të katërt. Media investigative do ta thotë shumë shpejt fjalën e saj.

Pa dashur të hyj në detaje të tjera, pasi ato do të përdoren në vazhdimësi të debatit, aksioni politik i përçarjes me ndikimin e pushtetit vendor është mjaft kuptimplotë. Në qoftë se në 2013-ën komuniteti i aftësisë së kufizuar ka pasur pakënaqësi ndaj qeverisë së kohës, ai asnjëherë nuk është përballur me presione politike as nga qeveria, as nga administrata vendore. Sot situata është e qartë, përçarja e komunitetit të PAK synon të zbusë forcën goditëse të pakënaqësisë së krijuar, të manipulojë opinion publik dhe të krijojë kundërpeshë elektorale në praktikë.

Këto synime janë të mbrapshta dhe nuk kanë për të rezultuar aspak të suksesshme. Fakti që të drejtat e personave me aftësi të kufizuar (PAK) janë dhunuar që nga 2013-ta, se qeveria nuk është kujdesur për interesat e tyre, por ua ka dhënë me koncesion kompanive të biznesit që sillen si OJF, janë tashmë plotësisht të provuara. Prova më e qartë dhe absolutisht e pakundërshtueshme është raporti i Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e PAK, i cili ka konkluduar se personat me aftësi të kufizuar janë dhunuar e janë përjashtuar nga jeta publike dhe u janë shkelur të drejtat e tyre. Me 25 konkluzionet dhe rekomandimet e këtij komiteti nuk gjendet asnjë fjalë e mirë apo vlerësim pozitiv për politikat e qeverisë ndaj PAK.

Dr. av. Sinan Tafaj, ekspert pranë Institutit Kombëtar të Ekspertizës së PAK.

Burimi: http://www.gsh.al