Kronika e Zezë

(VIDEO) Tetovë, digjet një burrë bashkë me barakën ku flinte

Një person ka humbur jetën dhe një barakë

Një person ka humbur jetën dhe një barakë e improvizuar prej drurit është djegur tërësisht, si pasojë e një zjarri që e ka kapluar këtë objekt mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03 e 50 minuta, në barakën e improvizuar në afërsi të qendrës sportive në Tetovë, ku ekipet e zjarrëfikësve pas shuarjes së zjarrit kanë vërejtur trupin e pajetë, tani për tani të pa identifikuar. Nga Sektori për punë të brendshme në Tetovë thonë se bëhet fjalë për një trup mashkulli, por nënvizojnë se për shkak të karbonizimit të tërësishëm të trupit, ai është dërguar në Institutin Mjeko- ligjorë në Shkup, që të identifikohet përmes ADN-së.

SPB Tetovë

“Në zjarr baraka është djegur tërësisht, ndërkohë që në vendin ku ka ndodhur, është gjetur një trup mashkulli i djegur dhe i pajetë. Prokurori publik, ekipi  i sektorit të punëve të brendshme i Tetovës dhe një mjek i mjeksisë ligjore kanë bërë hetim të tërësishëm dhe me urdhër të prokurorit publik trupi i pajetë fillimisht është dërguar në spitalin klinik në Tetovë, prej ku dorëzohet për identifikim dhe obduksion në institutin e mjeksisë ligjore në Shkup. Nga ajo që e kanë parë kolegë, nuk mundej të realizohej identifikim”.

Ndërkaq, komandanti i njësitit zjarrfikës të Tetovës, Uka Aliti, tha se thirrjen për paraqitje të zjarrit e kanë marrë nga një qytetarë në orën 03 e 50 minuta. Ai tha se ekipi i zjarrëfikësve menjëherë ka dalur në vendngjarje, por edhe për shkak të intervenimit të shpejtë dhe vënies së shpejtë të zjarrit nën kontroll, nuk kanë arritur që ta shpëtojnë barakën, pasi ajo ishte e ndërtuar nga një material shumë i lehtë për djegie.

Uka Aliti, Komandant i njësitit zjarrëfikës të Tetovës

“Kemi parë se digjeshte një barakë e improvizuar prej druri, me material shumë të lehtë dhe djegës, kemi filluar të intervenojmë, në kohë shumë të shpejtë kemi vënë zjarrin nën kontrollin tonë, kështu e kemi lokalizuar. Mirëpo me lokalizimin e zjarrit dhe likuidimin e tërësishëm të po këtij zjarri, më në fund për fat të keq kemi gjetur një trup të pajetë, trup njeriu, të cilin nuk kemi mund ta identifikojnë, ku organet hetuese kanë kryer hetimin dhe kanë marrë trupin e pajetë për të identifikuar atë trup”.

Ndërkaq deri në momentin kur e kontaktuam, drejtori i mjekësisë ligjore, Aleksandar Sankovski tha se trupi akoma nuk kishte arritur atje, por ai pret që obduksioni të përfundojë gjatë ditës së sotme dhe më pas të saktësohet identiteti i trupit të pajetë.

Mjekësia Ligjore

“Obduksioni duhet të bëhet këtu tek ne, mendoj se akoma nuk ka arritur trupi, sot do  të bëhet obduksioni, do të saktësohet identiteti i personit. Para obduksionit nuk mund të them asgjë”.

Prokuroria po punon për zbardhjen e plotë të rastit.

Ajnur Bafqari /SHENJA/