Shqipëri

(VIDEO) Publicisti Abdi Baleta: Shqipëria nuk duhet të pranojë të shantazhohet nga Greqia

Greqia e ka dëshmuar edhe në të kaluarën se sh

Greqia e ka dëshmuar edhe në të kaluarën se shfrytëzon kushtëzimet si mënyrë për të përfituar nga fqinjët e saj, por Shqipëria nuk guxon të pranojë asnjë shantazh që do të cenonte territorin detar. Kështu është shprehur publicisti Abdi Baleta, në një dokumentar të realizuar nga Televizioni Shenja rreth paralajmërimeve të Athinës zyrtare për zgjerimin e kufirit detar deri në 12 milje.

Abdi Baleta, publicist

“Greqia e ka pasur sjellje konstante këtë ndaj Shqipërisë edhe më parë, sa herë Shqipëria ka pasur rastin të bëjë një hap drejt proceseve integruese, Greqia ka ushtruar presion për ndonjë përfitim, kujtoj p.sh., rastin e mbjelljes së varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri. Për fat të keq, shumë herë pushtetarët shqiptarë i janë dorëzuar kërkesave të Greqisë. Por, Shqipëria nuk duhet në asnjë mënyrë të sakrifikojë territor të saj detar apo interesa të tjera kombëtare në Zonën Ekonomike Eksluzive dhe në Shelfin Kontinental, që të kënaqë tekat e lakmitë e Greqisë. E theksoj, edhe herë të tjera Greqia e ka përdorur çështjen e kufirit detar për trysni mbi Shqipërinë, siç ka përdorur dhe plot çështje të tjera të qena e të paqena. Është detyrë e shtetit shqiptar që të mos u nënshtrohet trysnive. Por jo gjithnjë autoritet e Shqipërisë e kanë bërë mirë këtë detyrë”

Baleta thotë se Shqipëria nuk guxon të lejojë as ndërlidhjen e temave të tjera që kanë për të zgjidhur dy vendet, me kontestin e rihapur për kufirin detar. Ai shton se Qeveria nuk duhet as t’i heshtë ato tema për hirë të përmbylljes së kontestit të fundit.

Abdi Baleta, publicist

“Çështja e kufijve detarë nuk ka lidhje me çështjet e tjera të konstetueshme midis Shqipërisë e Greqisë dhe duhet të trajtohet më vete. Secila nga çështjet ka vendin e vet dhe duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur. Çështja çame ka natyrën e përmasat veta të veçanta historike, njerëzore, kombëtare dhe duhet trajtuar si e tillë. Ajo nuk ka përse të vihet në tryezë pazaresh për kufijtë detarë. As çështja e “Ligjit të luftës”, të kthyer tashmë në një “relike diplomatike” që turpëron Greqinë, nga pala shqiptare nuk duhet të lidhet me detin. Çështja e detit me Greqinë duhet diskutuar e zgjidhur rreptësisht në kuadër të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtën e Detit, duke ndërthurur parimin e baraslargësisë me kriterin plotësues të Eekitesë (zgjidhje me mirëbesim e vullnet të mirë, me drejtësi e mirësi). Për këtë zgjidhje barra i bie më shumë e në radhë të parë palës greke të japë prova, për vetë kushtet natyrore dhe miqësinë që kërkon me Shqipërinë. Diplomacia shqiptare dhe të gjithë mekanizmat shtetërorë shqiptarë e kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat e interesat kombëtare në zgjidhjen e problemit edhe pse raportet e forcave në çdo drejtim janë në favor të Greqisë”

Kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotakis ka njoftuar se Greqia do të zgjerojë kufirin detar deri në 12 milje. Por këto paralajmërimeve kanë shkaktuar reagime në Shqipëri, ku politikanë dhe ekspertë thonë se zgjerimi i këtillë nënkupton gllabërim të sipërfaqeve të mëdha detare të Shqipërisë. Më të rrezikuara mbeten zonat nga Ksamilit deri në Himarë.  Arben Zeqiri /SHENJA/