Lajme

Vetting/ Shkarkohet kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Kryetarin e Gjykatës së Elbasanit, Sulejman Kurti. Kurti është i dyti që ngec në vetting për ditën e sotme, ndërsa disa minuta më parë u shkarkua prokurori, Përparim Kulluri.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Valbona Sanxhaktari, Firdes Shuli dhe Lulzim Hamitaj.

Problemet me pasurinë

Sipas relatorit Hamitaj, për pasurinë truall me sipërfaqe 163 m2 dhe 119.5 m2 ndërtesë, me vlerë totale rreth 3.7 milionë lekë, gjyqtari Kurti ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga puna, ndihma nga familjarët dhe hua. Hamitaj sqaroi se për katin e parë të shtëpisë, Kurti ka deklaruar se është ndërtuar në vitet 1997-1998 dhe se në vitin 2005 ka shtuar katin e dytë. Hamitaj shtoi se, në vitin 2003, subjekti i rivlerësimit e ka deklaruar vlerën e truallit 1.3 milionë dhe atë të ndërtimit të katit të parë rreth 400 mijë lekë.

Komisioni evidentoi se leja e marrë në vitin 1998, nuk ka qenë për ndërtimin e katit të parë të banesës, por për kryerje të punimeve të pjesshme e meremetime. Sipas Hamitajt, për truallin dhe banesën dykatëshe Kurti ka deklaruar si kosto totale vlerën 3.7 milionë lekë.

Hamitaj pohoi se sipas dokumentacionit të dorëzuar nga institucionet sipërfaqja e ndërtimit nuk është 119.5 m2 sa është deklaruar prej gjyqtarit Kurti, por rreth 352 m2. Komisioni identifikoi se leja e ndërtimit për katitn e dytë në vitin 2005, ishte përfituar nga subjekti “Hoxha shp.k.” ndërsa si investitor ka rezultuar vetë gjyqtari Kurti. “Subjekti ka shpjeguar se emri i shoqërisë është përdorur gabimisht në aktin kolaudimit”, sqaroi Hamitaj.

Nga analiza financiare e kryer nga Komisioni, është evidentuar një balancë negative në vlerën 1.1 milionë lekë për periudhën 1992-1998. Sipas KPK, Kurti e ka pasur të pamundur kryerjen e investimit për ndërtimin e katit të parë në vitin 1998. Ndërsa për investimin e kryer në vitin 2005, ka deklaruar vlerën e shpenzimeve 2 milionë lekë, por pa pasyqruar burimin, tha Hamitaj. Ai theksoi se bazuar në referancat e çmimeve kostoja e përgjithshme e katit të dytë ka qenë 6.5 milionë lekë dhe se Kurti ka qenë në pamundësi për ta ndërtuar në shumën -4.5 milionë lekë. Sipas Komisionit, ka mospërputhje mes vlerave të deklaruara për ndërtimin dhe atyre të pasqyruara në dokumente.

Për apartamentin 33 m2 të blerë në shtator të vitit 2010 në vlerën 4.1 milionë lekë në Tiranë, gjyqtari Kurti ka deklaruar si burim krijimi një kredi në shumën 980 mijë lekë; dy hua, një në vlerën 1 milion lekë dhe tjetra 15 mijë euro, të marra nga persona të ndryshëm, si edhe kursime nga të ardhurat e tij e të bashkëshortes. Komisioni ka konkluduar se Kurti nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e këtij apartamenti në vlerën -800 mijë lekë.

Ndërsa për një autoveturë të blerë në vitin 2016 në vlerën 400 mijë lekë, nuk janë identifikuar problematika dhe Komisioni ka konkluduar se Kurti ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie. Gjithashtu, nuk u evidentuan problematika edhe në gjendjen cash.

Relatori Hamitaj tha se në vlerësim të përgjithshëm, prej analizës financiare ka rezultuar se gjyqtari Kurti nuk ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e investimeve, në total në vlerën -6 milionë lekë. Hamitaj shtoi se Kurti ka paraqitur prova dhe shpjegime të cilat do të shqyrtohen gjatë marrjes së vendimit përfundimtar.

Gjatë fjalës së tij, gjyqtari Sulejman Kurti i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë. Ai tha se gjithçka ishte krijuar nga të ardhurat e familjes së tij. “Tek formulari i vetingut nuk parashikohej të pasqyroheshin edhe huatë e shlyera, por vetëm ato që nuk ishin likuiduar ende. Për këtë arsye nuk janë pasqyruar”, pohoi Kurti lidhur me mos përputhshmëritë e evidentuara prej Hamitajt.

Ai tha se kishte nisur të punonte për të siguruar materialin e ndërtimit për katin e parë të shtëpisë që prej vitit 1991. “I kam bërë tullat vetë, me duart e mija”, pohoi Kurti para Komisionit.

Duke shpjeguar se kostot kishin qenë shpenzimet vetëm për çimenton, hekurin, dyert, dritaret dhe pajisjet hidrosanitare, Kurti deklaroi se edhe pse nuk kishte fatura, kishte dhënë vlera shumë të përafërta me ato reale. “Analiza financiare nuk është reale se mbështetet në të dhëna fiktive”, shtoi ai duke pretenduar më tej se kostoja e Entit të Banesave del më e lartë se çmimi i tregut.

Kurti sqaroi edhe arsyen përse shoqëria ndërtuese “Hoxha sh.p.k.” rezultonte të kishte nxjerrë lejen e ndërtimit për katin e dytë. Ai tha se sipas ligjit ndërtimi duhej të bëhej nga një firmë private ndërtimi dhe se për këtë arsye kishte kontraktuar subjektin “Hoxha sh.p.k.”. Kurti shtoi se kur kishte ardhur momenti i ndërtimit nuk ishin rënë dakord dhe se i kishte kryer vetë punimet.

Ndërsa për mospërputhjen e sipërfaqes së ndërtimit në deklaratën veting me të dhënat e dokumenteve të institucioneve kompetente, Kurti tha se gjatë deklarimeve ishte bazuar gjithmonë tek certifikata e pronësisë.

Për apartamentin me sipërfaqe 33 m2, gjyqtari Kurti pohoi se e kishte blerë në vitin 2010 këtë pasuri pasi fëmijët do të kryenin studimet universitare në Tiranë. Ai tha se duke qenë se do të shpenzonte një sasi të konsiderueshme parash për qiratë, kishte vendosur të blinte këtë pasuri që sipas tij ishte vetëm një dhomë. “Kredinë dhe huatë i kam deklaruar kur i kam marrë. Më pas i kam likujduar me të ardhurat e mija”, pohoi Kurti.

DSIK me dy raporte për figurën

Lidhur me pastërtinë e figurës, relatori Hamitaj tha se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte dorëzuar fillimisht një raport sipas të cili gjyqtari Kurti ishte i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. “Pas analizimit të disa informacioneve të reja, DSIK e ka ndryshuar vlerësimin fillestar duke konstatuar pa përshtatshmërinë e gjyqtarit Kurti”, pohoi ndër të tjera relatori Lulzim Hamitaj. Ai shtoi se informacionet e reja do të vlerësohen gjatë marrjes së vendimit.

Gjyqtari Kurti e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK duke e cilësuar të pabazuar në prova. “Jam befasuar se paskam qenë i përshtatshëm deri në vitin 2017 dhe pastaj që nisi procesi vetingut, jo. Kjo është thikë pas shpine. Kërkoj që informacioni i DSIK të deklasifikohet plotësisht”, tha gjyqtari Kurti i cili shtoi se nëse gjendej edhe një gjysmë prove për përfshirjen e tij në afera korruptive ishte gati të përballej me drejtësinë.


Etiketa: , , ,