Lajme

Vetëvendosje, zyrtarisht fituese e zgjedhjeve në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje është shpallur zyrtarisht

Lëvizja Vetëvendosje është shpallur zyrtarisht fituese e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, me 58 ulëse në Kuvend, duke shënuar rekord të numrit të deputetëve në historinë parlamentare të vendit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.5% të votave. Forca e dytë politike, PDK, ka marrë 16.9% të votave. Lista Serbe, 5.06%. Dhe Nisma, 2.5% të votave.

Daka theksoi se Vetëvendosje ka marrë 58 mandate në Kuvend, PDK 19 mandate, LDK 15 mandate, Lista Serbe 10 mandate, AAK 8 mandate, komuniteti turk 2 mandate dhe ashkalinjtë 1 mandat.

Kujtojmë se nga Diaspora, VV ka marrë gjithsej 44252 vota.

Kryetarja e KQZ-së tha se pavarësisht kohës së shkurtër për organizimin e zgjedhjeve – përkatësisht për më pak se 40 ditë –   ishin zgjedhjet e organizuara “më së miri” në historinë e Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka

Shpallja e rezultatit nuk e mbyll procesin, sepse tani fillon periudha për ankesat nga partitë politike. Dhe, këto ankesa mund ta shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga mbi 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote kanë votuar 48.78 për qind dhe vota të vlefshme, sipas KQZ-së, kanë qenë 877.503.

Kur mund të konstituohet Kuvendi?

Pasi KQZ-ja të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh. Për këtë proces nuk pritet të ketë vonesa dhe organi legjislativ pritet të konstituohet brenda muajit mars.

Koalicioni i ri qeverisës

Pasi të konstituohet legjislatura e re, është në diskrecionin e presidentit që të dekretojë kandidatin për kryeministër. Pas dekretimit, ekzekutivi i ri i Kosovës duhet të votohet brenda 15 ditësh.

LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve, nuk mund ta formojë e vetme qeverinë e re, pasi për këtë gjë i duhen 61 vota. Por, disa nga partitë e komuniteteve joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe, janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë me ekzekutivin e ri.

Vetë lideri i LVV-së, Albin Kurti, më 3 mars deklaroi se ai mëton që ta formojë qeverinë me deputetë të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar mundësinë që në koalicionin qeverisës të përfshihen partitë shqiptare dhe Lista Serbe.

6


Etiketa: ,