Lajme

Vetëvendosja “besoj e ka kandidatin për Prishtinën”

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Me

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, thotë se do të dëshironte që në garë për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ta shihte Arben Vitinë.

Siç shprehet ai, Vitia “është i pakonkurrencë”, duke shtuar se ministri i Shëndetësisë ka marrë më shumë vota në Prishtinë sesa të gjitha partitë politike të tjera bashkë.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka kandidatin për Prishtinën. Unë nuk jam kandidat, ka shumë kandidatura. Po të pyetsha unë, Arben Vitinë, është i pakonkurrencë. Unë po të pyetsha, Arben Vitinë do ta kandidoja, pasi ka 31 mijë vota vetëm në Prishtinë, aq sa i kanë partitë tjera politike bashkë”, ka thënë Bajqinovci në “T7”.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë të ditur asnjë emër sa i përket kandidaturave për zgjedhjet komunale, në garë për Komunën e Prishtinës tashmë kanë hyrë Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selim Pacolli nga Aleanca Kosova e Re. /Insajderi.com