Lajme

Veseli kujton atë Shtjefën Gjeçovin, i vrarë nga serbët 91 vjet më parë

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar atë Shtjefën Gjeçovin, i cili në vitin 1929 ishte vrarë nga shovinistët serbë.

“Sot kujtojmë vrasjen kriminale të njërës prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, atë Shtjefën Gjeçovin. Ai luftoi si pak të tjerë kundër përpjekjeve shkombëtarizuese e asimiluese ndaj popullsisë e kulturës shqiptare dhe për të ndalur këtë veprimtari të tij patriotike u vra nga shovinistët serbë, më 14 tetor të vitit 1929, në Zym të Gjakovës”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Veseli thotë se kryevepra e tij “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është një nga arritjet më të mëdha të kulturës shqiptare.

“Ai jo vetëm që ka qenë veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, shkrimtar, përkthyes, arsimtar i hershëm i shkollës shqipe dhe udhëheqës shpirtëror, por mund të konsiderohet edhe si themelues i etnografisë e arkeologjisë shqiptare. Kryevepra e tij, ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’, është një nga arritjet më të mëdha të kulturës shqiptare, por edhe dëshmi e pamohueshme e lashtësisë dhe vazhdimësisë së traditës shqiptare në trojet tona”, tha ai. /24-ore.info