Kult

Vali Leskaj: Reforma zgjedhore vuan nga zgjidhjet e momentit të fundit

Libri i ri, “Politika si ide”, ish deputetja: Dëme

Libri i ri, “Politika si ide”, ish deputetja: Dëmet financiare të zhavorreve para zgjedhjeve

 





Ish Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe ish deputetja,Valentina Leskaj vjen me njw botim mbi politikwn. “Politika si ide” wshtw një libër për politikën e së ardhmes. E cilwsuar si një narracion mbi lëvizjet e politikës shqiptare këto tri dekadat e fundit, një reflektim idesh e ngjarjesh, që shënjojnë historinë e Shqipërisë post-komuniste dhe një ftesë për një dialog ndryshe, në shërbim të një politike më serioze, e një shoqërie e demokracie më funksionale.

Shqipëria në Nato, nga Bukureshti në Strasburg, Pushteti i gjuhës, marrëdhënia me tjetrin, çështja e moshimit të popullsisë, kriza demografike e një sërë problemesh që lidhen me kohezionin social, vijnë përmes një vëzhgimi të hollë nga Leskaj për t’i mbetur historisë.

Libri është një pamflet idesh politike, që do t’i shërbejë të gjithë atyre që do të merren me tablonë e historisë politike të Shqipërisë së tri dekadave të fundit, por dhe një manual për politikën e së ardhmes.

Valentina Leskaj, një personazh i njohur i politikës shqiptare, i sjell të gjitha këto në librin që mban logon e Botimeve Toena, “Politika si ide”.

FRAGMENT NGA LIBRI

Si e shihni politikën sot?

Në fakt kjo është një pyetje shumë komplekse dhe natyrisht e vështirë t’i përgjigjesh shkurt, ka nevojë për një analizë, ndërkohë që varet me çfarë syzesh e sheh dhe sa mund të bësh një ndarje të ftohtë. E vërteta është që arsyeja pse jam ulur të shkruaj këto shënime pasi kanë kaluar gati tre vjet, nga shkëputja ime nga politika, është se gjithmonë kam menduar se njeriu ka nevojë për një distancë në kohë, një distancë të shëndetshme, e cila të jep në njëfarë mënyre mundësinë për t’i parë gjërat më ftohtë, pa qenë në vorbullën e politikës së ditës dhe besoj se kjo më ka ndihmuar. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet që gjatë kësaj periudhe nuk kam qenë aktive edhe në media, sepse për fat të keq, edhe për çështje që nuk duhen politizuar, nëpër studiot televizive por jo vetëm atje, dashur pa dashur bëhet një ndarje partizane. Po natyrisht janë të tjerë që mund ta gjykojnë qëndrimin tim, unë ndihem e lirë për t’i thënë gjërat, ashtu siç i mendoj dhe kjo puna e të ndierit i lirë, nuk është pak.

Sa i takon opinionit tim për çështje të politikës, besoj se njeriu nuk ka nevojë që të kritikojë pa të drejtë, njërën apo tjetrën palë politike, pa qenë i vërtetë për të treguar paanësinë e vet, apo mungesën e emocionit në gjykimin e çështjeve, dua të them realisht atë që besoj unë, të vërtetën time dhe pa pretenduar për një analizë të plotë të politikës, e cila do të meritonte një libër më vete e ndofta mund t’i përkasë një kohe tjetër pak më të vonshme. A mund t’ia arrijë kësaj që të jetë 100 % i lirë, një njeri që ka qenë 16 vjet brenda politikës, nuk e di dhe nuk është ky qëllimi që më udhëheq në opinionin tim, gjithsesi, dua t’i them gjërat siç i mendoj, pa asnjë kompleks dhe tundim, në të kundërt shkon drejt vlerësimeve të padrejta. Jam munduar të jem e ftohtë edhe gjatë kohës që kam qenë brenda politikës, pavarësisht nga qëndrimet politike, që kanë të bëjnë me vendimmarrje të përbashkëta të grupit parlamentar  apo  strukturave  të  tjera  vendimmarrëse, brenda etikës së një komunikimi njerëzor dhe natyrisht rregullave të funksionimit të një force politike, edhe pse gjetja e pikës së ekuilibrit mes të dyjave nuk është gjithmonë e lehtë në kushtet tona, por unë besoj jo e pamundur.

Mendoj se një nga problemet e politikës në Shqipëri, është se ajo është më shumë e dominuar nga politika e ditës, e cila përgjithësisht udhëheq drejt zgjidhjeve afatshkurtra, që lidhen me zgjedhjet e radhës, dhe më pak e orientuar nga qasja strategjike dhe zgjidhjet afatgjata që i bëjnë edhe vendimet e reformat të qëndrueshme. E kam ndier këtë qysh në fillim pasi hyra në politikë. Këtu besoj ka një ndikim, por jo i vetmi, edhe fakti që ne bëjmë zgjedhje në çdo dy vjet, duke  konsideruar si zgjedhjet e përgjithshme  parlamentare,  ashtu  edhe ato vendore, që në Shqipëri marrin pothuaj të njëjtën peshë dhe formë, si zgjedhje  politike  dhe  kjo  është një ngarkesë e madhe për vendin. Këtu kam parasysh faktin që te ne zgjedhjet vendore nuk shihen si zgjedhje administrative po si zgjedhje politike, në to përfshihet i gjithë establishmenti politik, të gjithë aktorët qendrorë e lokalë, është një organizim vertikal po me një përfshirje të gjerë horizontale, pothuajse i të gjithë shoqërisë etj.

Kjo është natyrisht një kosto e madhe ekonomike, financiare, sociale e burimeve njerëzore, kosto që shkon përtej asaj të një dite zgjedhore, kostos së administrimit apo infrastrukturës zgjedhore që e shoqëron atë ditë, po që përfshin të gjithë investimin nga pikëpamja e angazhimit të të gjitha strukturave e kapaciteteve njerëzore e mbi të gjitha atë aksion që shpesh kushtëzon edhe vendimmarrjen e qeverisë duke e orientuar drejt vendimeve që kanë veprim afatshkurtër për zgjedhjet e radhës. Këtu kam parasysh edhe atë që lidhet me orientimin e buxhetit publik disa herë në investime elektorale jo të qëndrueshme. Tashmë dihet hedhja e zhavorreve nëpër rrugë rurale për zgjedhjet e radhës, zhavorr që hidhej në verë dhe e merrte shiu në dimër, apo në investime të tjera elektorale me para publike në çdo dy vjet. Po të përmendja raste të këtyre investimeve që fillonin  e nuk mbaronin, lista do të ishte shumë e madhe dhe dëmet ekonomike gjithashtu. E gjitha kjo është një pasuri kombëtare që përdoret në mënyrë jo efiçente deri në shpërdorim.

Edhe në vende të tjera ka në çdo dy vjet zgjedhje, në disa prej tyre edhe më shpesh, kur zgjedhjet lokale bëhen sipas rajoneve dhe kjo varet nga sistemet elektorale që vende të ndryshme kanë, po qasja e tyre për zgjedhjet lokale është e ndryshme nga ajo që ndodh këtu, ndaj dhe kostoja nuk është kjo që paguajmë ne. Kur them e ndryshme, e kam fjalën për vende me demokraci funksionale, sepse si ne mund të ketë edhe këtu rrotull nesh në rajon e më tej, megjithëse edhe këtu në rajon apo në vende të tjera, që vijnë nga blloku komunist, kam pasur rast të monitoroj zgjedhje dhe kanë një diferencë të dukshme, por në kahe pozitive. Natyrisht që na duhet një zgjidhje e qëndrueshme, nuk mund t’ia lejojmë më këtë luks politikës së kthyer në kosto për vendin, po ende gjërat nuk po lëvizin në drejtimin e duhur.

Është e vështirë të them apriori që zgjedhjet mund të bëheshin në të njëjtën kohë si të përgjithshmet edhe ato vendore, pra një herë në katër vjet, natyrisht që ky mund të ishte një opsion, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, si mund të ishte edhe politizimi edhe më i thellë i zgjedhjeve administrative etj., por ka nevojë për një vlerësim serioz të kostove dhe benefiteve, ndërkohë që besoj se mund të ishin edhe më efiçente po të bëhen bashkë duke konsideruar çfarë thashë më lart, për të shmangur dhe kostot financiare shtesë e politikat afatshkurtra elektorale, të cilat janë një barrë për ekonominë e vendit, po gjithsesi kjo çështje meriton një diskutim më të strukturuar për një zgjidhje të qëndrueshme, të zhveshur nga interesat e përveçme të momentit.

Ajo që kemi mundësi të bëjmë sot për sot, është që t’i trajtojmë zgjedhjet vendore ashtu siç duhet të jenë në fakt, jo si zgjedhje politike, por si administrative, natyrisht kjo do një vullnet politik e mbi të gjitha një klimë më konstruktive mes aktorëve politikë. Ndërkohë që distanca më e madhe në kohë, që krijohet duke i bërë të dyja zgjedhjet bashkë (një herë në katër vjet), do të na krijonte një situatë më të qetë nga konfliktet që kthehen në një tjetër kosto për vendin dhe do të kishim një distancë në kohë nga dominimi i politikave afatshkurtra, përfshirë edhe ato që lidhen me përdorimin e buxhetit dhe investimeve për motive elektorale për shkak të zgjedhjeve të radhës.

Kjo mund të ishte edhe një nga çështjet e reformës zgjedhore e cila, gjithashtu, vuan nga zgjidhjet e momentit të fundit. Reforma zgjedhore pothuajse gjithmonë bëhet me vonesë, me zgjidhje të sforcuara të momentit të fundit, po nëse procesin do ta nisnim qysh në vitin e parë pas zgjedhjeve dhe me një frymë pozitive për zgjidhje, mund të kishim një diskutim më të gjerë e për rrjedhojë edhe një reformë më të qëndrueshme. Kemi bërë 13 reforma zgjedhore, kemi bërë shumë ndërhyrje, kemi ndryshuar edhe sistemin zgjedhor tri herë, kemi bërë ato ndryshime që mendojmë se i shërbejnë njërës apo tjetrës palë politike në varësi të shumicës qeverisëse, po fakti që vazhdojmë të bëjmë kaq shpesh reformë, gjithashtu, tregon paqëndrueshmërinë e sistemit dhe se kemi nevojë për disa zgjidhje të qëndrueshme.

Por kjo çështja e zgjedhjeve të radhës nuk është e vetmja arsye, që politika është e dominuar nga politika e ditës, e cila të çon drejt vendimmarrjeve afatshkurtra, natyrisht kjo ka të bëjë edhe me faktorë të tjerë, me klimën konfliktuale, me stabilitetin politik, me mungesën e vullnetit për negocim e marrëveshje serioze për çështje të rëndësishme, me mungesën e qasjeve strategjike ndaj problemeve të vendit, pse jo edhe me defiçencat në kulturën politike etj. Si duket jemi ende shumë larg asaj që ish-kryeministri italian, Alcide de Gasperi, sintetizon për diferencën mes politikanëve dhe shtetarëve kur thotë se: “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme”.