Bota Lajme

Vaksina e AstraZeneca-s, Agjencia Evropiane del në konferencë në këtë orë

Agjencia Evropiane e Ilaçeve të mërkurën do të mbajë konferencë rreth sigurisë së vaksinës së AstraZeneca-s për Covid-19. Konferenca është paralajmëruar për orën 16:00.

Më saktësisht, në këtë konferencë pritet të dalin anëtarët e Komisionit për Siguri të Agjencisë Evropiane të Vaksinave. Përmes një postimi në Twitter, agjencia ka publikuar një link ku konferenca mund të ndiqet drejtpërdrejt.

Pak ditë më parë, një zyrtar i lartë i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve i ka thënë një gazete italiane se është e qartë se ekziston një lidhje mes vaksinës së kompanisë AstraZeneca dhe një lloji të rrallë të mpiksjes së gjakut, por shkaku ende është i panjohur.

Sipas mendimit tim, mund ta themi këtë tani, është e qartë se është një lidhje me vaksinën, por ende nuk e dimë se çfarë e shkakton reaksionin”, tha shefi për vaksina i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve për gazetën “Il Messaggero”.

Gjermania, Italia, Franca, Spanja dhe Holanda së fundi e kanë kufizuar përdorimin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca për personat nën 60 vjeç për shkak të shqetësimeve rreth mpiksjes së gjakut.

Dozat e kësaj vaksine kanë arritur edhe në Kosovë. Me të janë vaksinuar qindra punëtorë shëndetësorë si dhe kryeministri Albin Kurti.