Opinione

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Haga

Jam më se i sigurt se njëri nga drejtuesit e

Jam më se i sigurt se njëri nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, do të ketë forcën morale, politike dhe kombëtare të qëndrojë stoik përballë kësaj sfide. I vetëdijshëm për vlerat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër goditjeve, përbaltjeve, akuzave të rrejshme, shpifjeve dhe klimës kundër UÇK-së, Kadri Veslei dhe gjithë drejtuesit e saj do ta kalojnë këtë sprovë. Margaritari, thuhet, mund të mbulohet me baltë, por mbetet margaritar

Shkruan: Ismail Syla

Dalëngadalë
ftesat e Prokurorisë Speciale për “krimet” e luftës në Kosovës po e
rrumbullakojnë “grishjen” dhe po arrijnë edhe tek krerët më të lartë të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që njëkohësisht patën fatin të jenë edhe në
krye të institucioneve më larta shtetërore të shtetit më të ri në Evropë. Para
kësaj Prokurorie u shfaqën (folën dhe heshtën) anëtarë të shtabit të
përgjithshëm të UÇK-së, komandantë të zonave, kryeministri Haradinaj, e dje u
bë e ditur botërisht edhe ftesa për kryeparlamentarin Kadri Veseli, njëherësh
kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Këto ftesa dhe klima që po shkaktojnë
ato, bëhen në një distancë kohore prej dy dekadash nga mbarimi i luftës në
Kosovë.

Për arsyet dhe aktorët faktikë që qëndrojnë prapa këtij
qëndrimi armiqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare do të flas koha, nga
distanca historike, kur prapaskena del në skenë. Ato nuk janë synim i këtij shkrimi.
Në fakt shkrimi shpreh një opinion dhe një bindje tepër personale. Prej
themelimit të Dhomave të Specializuara (Gjykata e Hagës për Kosovë) e deri më
tash kanë kaluar mbi katër vjet dhe në ndërkohë ka lëvizje përmbajtjesore në
skenën politike të Kosovës. Deri dje, në krye të institucioneve kyçe të shtetit
të Kosovës ishin figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush
Haradinaj, kryeministër dhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Hashim
Thaçi vazhdon të jetë President i Republikës së Kosovës në bazë të mandatit
(2016 – 2021).

Zgjedhjet e 6
tetorit 2019 kanë bërë një zhvendosje interesante. Dy liderët e dy
institucioneve kryesore, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli nga të qenit në
pozitë, zgjedhjet i flakën në opozitë me rezultat të qartë, si parti e tretë
(PDK), gjegjësisht e katërt (AAK). Sot, kur ftesat po e arrijnë rrumbullakimin
këta dy liderë i gjen në opozitë. E, po ashtu, në opozitë, pa përfaqësim në
parlament, gjendet edhe një figurë e fuqishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Fatmir Limaj. Kjo do të thotë se njerëzit më të fuqishëm politikë me prejardhje
nga platforma politike dhe ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i
patën në duar institucionet qendrore të shtetit, u zhvendosën në opozitë, duke
mos arritur ta rrumbullakojnë shtetësinë e plotë të Kosovës, marrëveshjen me
Serbinë, neutralizimin e Gjykatës Speciale për Kosovë me seli të dyfishtë (Hagë
– Prishtinë), arritjen e liberalizimit të vizave dhe fillimin e proceseve të
integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë se klima e ftesave dhe çdo gjëje
tjetër që do të pasojë, do të zhvillohen në një kohë kur pozicioni
institucional i këtyre liderëve ka bazën më të dobët të mbështetjes elektorale.
Sa është punuar me sistem dhe durim stoik për rrënimin e autoritetit të kësaj
klase politike është çështje më vete. Në këtë politikë rrënuese të autoritetit
politik dhe publik të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka armiq
organikë dhe historikë që asnjëherë dhe asnjëherë nuk ua falin kokën (Serbia me
të gjitha segmentet aktive) kundërshtarë të brendshëm në nivel nacional dhe
“armiq” brenda llojit.

Nëse tek faktori i parë (Serbia) nuk mund të ndikohet, dhe
vetëm ndonjë e ardhme arrin ta zbus armiqësinë midis dy shteteve, dy faktorët
tjerë, kundërshtarët e brendshëm dhe “armiqtë” brenda llojit, është mirë ta
shohin njëri tjetrin në sy ose në pasqyrë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me të
drejtë dhe pakontestueshëm konsiderohet projekti politik dhe ushtarak më serioz
i luftës për çlirimin e Kosovës.

Në të gjitha periudhat historike shqiptarët e Kosovës kanë
luftuar, kanë bërë kryengritje, rebelime dhe protesta, janë organizuar kundër
sundimit jugosllav, por kurorëzimin e gjithë atyre synimeve e ka realizuar
Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pavarësisht kapaciteteve materiale dhe ushtarake,
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë shprehja më autentike e qenies kombëtare
të shqiptarëve të Kosovës: ajo u mbështet nga populli, zhvilloi qëndresë në
territoret brenda Kosovës, arriti ta ngrit në pikën më lartë angazhimin
ndërkombëtar, ku dhe përfundimisht u arrit shkëputja e Kosovës nga administrimi
i Serbisë. Kjo nuk nënkupton nënvlerësimin e asnjë përpjekjeje tjetër për
çlirimin e Kosovës, por asnjë faktorë brenda kombëtar nuk mund ta injorojë
rolin parësor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në finalizimin e qëllimit –
çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të viti 1999.

Lidershipi i UÇK-së i konvertuar në lidership politik doli i
fuqishëm pas mbarimit të luftës më 1999. Filozofia e luftës çlirimtare, duke
qenë e tillë natyrisht se në përbërësin e saj ka dy dimensione të pa
përjashtueshme: humanizmin dhe popullaritetin.

Këto dy produkte të saj u shpërfaqën për së mbari në epokën
e lirisë. Liderët e saj u shndërruan në politikanë normalë dhe popullaritetin e
bartën tek vlerat e demokracisë. Këto dy vlera normale në skenën e përgjithshme
politike të Josovës bën që me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, asaj që
ndihmoi në arritjen e çlirimit të Kosovës, Kosova të jetë një demokraci normale
dhe të bëhet shtet i pavarur. Lidershipi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në
historinë 20 vjeçare të Kosovës në planin e përgjithshëm ka luajtur rol
konstruktiv dhe si i tillë është vlerë klasike e demokracisë së Kosovës.
Pavarësisht mos përsosurisë, Kosova është shoqëri dhe shtet normal. Ka mijëra
shembuj mbi të cilët mund të mbështetemi. P.sh. kultura e njohjes së rezultatit
zgjedhor është njëri nga ta. Se lidershipi dhe klasa politike e dalë nga
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka një normalitet dhe vlera të gjithë pranueshme
dëshmon edhe praktika e krijimit dhe funksionimit të koalicioneve qeverisëse
pas luftës e këndej.

Në arenën politike të Kosovës është krejt normale beteja dhe
lufta e forcave politike, që kanë formim, histori dhe etablim të ndryshëm. Po
ashtu, është e drejtë e çdo grupimi politik por edhe diçka e pakontrollueshme
se çfarë qëndrimi mbajnë ndaj këtij ose atij fenomeni politik, ndaj kësaj ose
asaj organizate politike a ushtarake. Prandaj kurrë nuk ka vlerësim uniform
ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe liderëve të saj. Ka një tendencë të përhershme,
brenda kombëtare dhe të qarqeve ndërkombëtare që merren me Kosovën, për
kuptimin gjeneral të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për drejtuesit
individualë të saj.

Edhe brenda edhe jashtë ka një konstatim “dashamirës” se
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e mirë. E kur vjen fjala te individët, tek
liderët ose drejtuesit e saj ndryshon hesapi. Liderët, komandantët, drejtuesit
e saj mund të kontestohen, kontestohen, madje kontestohen plotësisht. Kjo
kontestueshmëri totale, tundamendje e plotë, është tendencë që ka vepruar dhe
vepron pa ndalur, pa reshtur, me durim stoik dhe përhershmëri legjendare,
njësoj si pika e ujit që dalëngadalë e shpon edhe gurin. Sistemi i dërgimit të
ftesave nga Prokuroria e Hagës, nga poshtë lart përfshin gjithë shtresën e drejtueseve
kryesorë të UÇK-së. Kjo i bie që Ushtria Çlirimtare Kosovës ka dy kategori në
përbërësin e saj: ushtarë të rëndomtë, luftëtarë lirie, dhe komandues, drejtues
të dyshimtë për këtë ose atë vepër, për këtë ose atë krim. Ndërkaq, në planin e
luftës brenda llojit, kemi shembullin më praktik dhe domethënës të koalicionit
PAN, që si fillesë tregon domosdoshmërinë dhe nevojën e të qenit bashkë të
formacioneve politike me prejardhje nga UÇK-ja dhe fundin grotesk, me
kundërvënie joparimore ndaj njëri tjetrit.

PAN-i tregoi
mungesën e vizionit, si strategji politike dhe të sinqeritetit, si vlerë etike.
Ata edhe qenë edhe nuk qenë bashkë në fushatën zgjedhore të 2017. Po të ishin
plotësisht bashkë do të prodhonin mbi dyzet deputetë. Ato zgjedhje, sado në
zgrip, bënë që në krye të shtetit të ishin dy liderë të UÇK-së. Mos sinqeriteti
dhe mungesa e vizionit bënë që të prishet koalicion dhe të shkohet në zgjedhje
të jashtëzakonshme (6 tetor 2019).

Ky vullnet dhe
kjo dëshirë për të shkuar në zgjedhje u shpërblye me kalim në opozitë. Do të
thotë dalje nga zyrat e dy nga institucioneve qendrore të shtetit të Kosovës.
Listimi i shembujve të pakufishëm të luftës brenda llojit nga njerëzit me
prejardhje politike nga UÇK-ja do të merrte shumë vend. Kjo luftë është aq e
ulët sa nuk ia vlen të shfletohet. Mjafton të kujtohen rastet e thumbimeve,
nënvlerësimeve, etiketimeve dhe fyerjeve në fushatën e 2019-ës. Kur brenda
llojit ka urrejtje dhe armiqësi, pse të çuditemi nga sulmet që vijnë nga
subjektet rivale, nga sulmet që vijnë prej segmenteve armiqësore serbe. Ky mos
durim sikur ta kujton kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur krerët
shqiptarë, individualistë dhe krenarë, që kishin shërbyer në perandorinë
osmane, krijonin përshtypjen se jo vetëm nuk mund ta duronin shqiptarin mbi
kryet e tyre, por as dhe hijen e vetvetes.

Ftesat e fundit
nga Specialja e Hagës po vijnë në një kohë të ndërmjetme, midis pushtetit të
shkuar të PAN-t dhe atij në ardhje, i mundshëm midis LVV dhe LDK. Po vijnë në
kohën kur janë në opozitë PDK-ja, e cila me deputetët e saj (shumica) e
mbështeti krijimin e Gjykatës speciale sa qenë pozitë. Krijimi i kësaj gjykate
preku edhe Kushtetutën e Kosovës. Në këtë gjendje dhe atë që po vjen si do të
trajtohen njerëzit e UÇK-së nga Gjykata e Hagës dhe cili do të jetë roli i
shtetit të Kosovës, në të cilin partitë politike të dala nga UÇK-ja janë
komplet në opozitë? Mbetet të shihet. E që shihet plotësisht është fakti që
ndaj krerëve të UÇK-së po ndodh një padrejtësi historike. Gjykata e Hagës, në
këtë rast bashkësia ndërkombëtare, arriti t’i dënojë krerët e shteti të Serbisë
për krime lufte, por jo dhe të shpallë fajësimin e shtetit të Serbisë për
gjenocid në ish Jugosllavi (Bosnjë, Kroaci, Kosovë).

Gjykata e Hagës
sot po synon që t’i barazojë fajtorët: njëjtë drejtuesit e shtetit të Serbisë
1990 – 1999 dhe drejtuesit e UÇK-së 1998 – 1999. Se nuk mund të barazohen këto
gjëra ka me mijëra e mijëra fakte, por le të shërbejë për këtë shkrim
konstatimi i publicistit dhe analistit ushtarak James Pettifer, i cili në
librin “Ekspresi i Kosovës” krahason përmasat e shtetit serb dhe UÇK-së. Derisa
e Serbia demonstroi luftë ekspansioniste në Slloveni dhe Kroaci, gjenocid në
Bosnje dhe në Kosovë përmes një armate të organizuar, me arsenal të plotë
ushtarak, me doktrinë dhe planifikim të mirëfilltë, Ushtria Çlirimtare e
Kosovës, sipas Pettifer kishte tri elemente: automatikun kallashnikov,
telefonin Nokia dhe çorganizimin. Në një zbërthim simbolik, automatiku është
vullneti popullor dhe guximi qytetar i Kosovës, telefoni Nokia është lidhja
satelitore dhe mediale me botën e çështjes së Kosovës e cila më nuk mund të
përfaqësohet nga imazhi që e krijonte Beogradi dhe, mbajeni mend: –
çorganizimi, pra një ushtri e re, e krijuar nga një popull pa shtet.
Dhe krejt në fund: Jam më se i sigurt se njëri nga
drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, do të ketë forcën
morale, politike dhe kombëtare të qëndrojë stoik përballë kësaj sfide. I
vetëdijshëm për vlerat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër goditjeve,
përbaltjeve, akuzave të rrejshme, shpifjeve dhe klimës kundër UÇK-së, Kadri
Veslei dhe gjithë drejtuesit e saj do ta kalojnë këtë sprovë. Margaritari, thuhet, mund të mbulohet me baltë,
por mbetet margaritar.

MEDIAL.mk