Sport

UEFA kundër nismës së klubeve për ta formuar Super Ligën

Shtëpia Evropiane e Futbollit ka dalur kundër n

Shtëpia Evropiane e Futbollit ka dalur kundër nismës së disa ekipeve për të bërë një Super Ligë ku do garonin vetëm më të fortit.

Deklarata nga UEFA thotë se, së bashku me federatat e Spanjës, Anglisë e Italisë do e luftojnë krijimin e kësaj lige pasi kjo “e dëmton futbollin”.

“UEFA, Shoqata e Futbollit Anglez dhe Premier League, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) dhe La Liga, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) dhe Serie A kanë mësuar se disa klube angleze, spanjolle dhe italiane mund të krijojnë një ligë të mbyllur me ekipe specifike e cila do quhet “Europe Super League”.

“Nëse kjo do të ndodhte, ne dëshirojmë të përsërisim se – UEFA, FA Angleze, RFEF, FIGC, Premier League, LaLiga, Serie A, por edhe FIFA dhe të gjitha shoqatat tona anëtare – do të qëndrojmë të bashkuara në përpjekjet tona për të ndaluar këtë projekt cinik”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Ata nismën e këtyre ekipeve e kanë cilësuar si “një projekt që bazohet në interesin e vetëm disa klubeve në një kohë kur shoqëria ka nevojë për solidaritet më shumë se kurrë”.

“Ne do të shqyrtojmë të gjitha masat në dispozicion për ne, në të gjitha nivelet, si gjyqësore dhe sportive, në mënyrë që të parandalojmë që kjo të ndodhë. Futbolli bazohet në gara të hapura dhe merita sportive; nuk mund të jetë ndonjë mënyrë tjetër”.

Siç është njoftuar më parë nga FIFA dhe gjashtë Konfederatat, klubet në fjalë do të ndalohen të luajnë në çdo konkurs tjetër në nivel vendas, europian ose botëror dhe lojtarëve të tyre mund t’u mohohet mundësia për të përfaqësuar ekipet e tyre kombëtare.

Në komunikatën e përbashkët falënderohen “klube franceze dhe gjermane”, të cilët kanë refuzuar të regjistrohen në këtë garë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë dashamirëve të futbollit, mbështetësve dhe politikanëve, që të bashkohen me ne në luftën kundër një projekti të tillë nëse do të shpallet. Ky interes i kamotshëm personal i disave ka vazhduar për shumë kohë”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.