Lajme

Trumpi në Pennsylvania: Krerët e Kosovës dhe Serbisë po përqafoheshin në Zyrën Ovale, ishte e bukur ta shihje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump votuesve në Pennsylvania të shtunën mbrëma u ka treguar për Marrëveshjen në Washington mes Kosovës dhe Serbisë. Në tubimin parazgjedhor në këtë shtet, ai ka thënë se përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë që “po vriteshin mes vete për shumë vjet”, në Zyrën Ovale “u përqafuan mes vete”. “Ishte gjë e bukur ta shihje”, ka thënë ai.

“Kosova dhe Serbia, ata po vriten për shumë vjet, thjeshtë po vriten mes vete. Janë disi si izraelitët dhe palestinezët”, ka krahasuar ai.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Ai ka thënë se edhe vetë ishte pyetur se pse po ndodhte një gjë e tillë.

“Kanë dallime, edhe dallime fetare”, ka shtuar Trumpi në Pennsylvania.

Votuesve në këtë vend u ka treguar se SHBA-ja bën tregti me të dyja vendet, kështu që ka ndikim.

“Kështu që iu thashë: ‘Dëgjoni, të bëjmë marrëveshje, marrëveshje ekonomike. Erdhën në zyrën time, Zyren Ovale për të nënshkruar dhe ata po e përqafonin njëri tjetrin… ishte gje e bukur ta shihje, shpëtuam aq jetë”.

Trumpi me këtë rast ka përmendur edhe nominimin që i është bërë për Nobel të Paqes.

“I thashë Zonjës sonë të Parë të madhërishme Melanias, asaj i tregova se do të vij në shtëpi më herët për të shikuar telezivor sonte pasi që isha nominuar për Nobel të Paqes”, ka thënë ai.

Është kjo hera e dytë që Trump përmend marrëveshjen ekonomike gjatë fushatës zgjedhore. Në Karolinë të Veriut ai kishte thënë vetëm se kishte ndalur “vrasjet masive” mes Kosovës dhe Serbisë.

Trumpi në këtë tubim ka ironizuar edhe me këshillat që ia kishte dhënë presidenti i mëparshëm, Barack Obama, që ia kishte thënë se problemi më i madh për SHBA-në është ai me Korenë Veriore,

“I thashë: Më fal a ke tentuar ta thërrasësh atë?”, ka thënë Trumpi, duke aluduar në liderin verikorean, Kim-Jong unin.