Kult

Trimosh Ramadani, aktori që kuraja dhe fuqia e artit e ringre në këmbë

Engjëll SERJANI – Në natën e pestë të Fe

Engjëll SERJANI – Në natën e pestë të Festivalit Teatror “Kadri Roshi” në skenën e teatrit “Zihni Sako”, publiku gjirokastrit mori një “goditje” të fortë emocionale. Spektatorët, mandej edhe një kastë aktorësh të njohur, pjesëtarë të jurisë dhe të ftuar specialë, mbetën të emocionuar deri në përlotje në finale të tragjikomedisë “Jashtë Bie Borë” të autorit Italian Vincenzo Salemme. Shfaqje e vënë në skenë nga trupa teatrore e Tetovës me regjisor Qëndrim Rijanin dhe aktor protagonist Trimosh Ramadani. Loja drithëruese e aktorit tetovar Trimosh Ramadani u duartrokit gjatë dhe nga shumica e shikuesve në sallë. Vetëm në momentin e përshëndetjes së interpretëve pas përfundimit të shfaqjes shikuesit kuptuan se ky aktori kryesor ishte vërtet një invalid që luajti rolin e një invalidi. Gjatë gjithë shfaqjes u mendua se bëhej fjalë për një aktor normal, që interpretonte rolin e një invalidi, por e vërteta e interpretimit që ishte krejt ndryshe, shkaktoi emocione të forta tek shikuesit.





Tragjikomedia kishte brenda subjektit dy enigma, luftën se kush do ta marrë pasurinë, dhe dyshimit se si mund të kishte vdekur nëna e tre vëllezërve që edhe vetë vdesin në finale nga mbi doza e morfinës. “Jashtë bie borë” e autorit Vicenzo Salemme, përkthyer nga Hervin Çuli, erdhi në festivalin e dytë teatrot “Kadri Roshi” të Gjirokastrës e realizuar nën regjinë e Qëndrim Rijanit, me lojën përkryer e aktorëve Trimosh Ramadani, Blerim Ismani, Petrit Neziri dhe Muzafer Etemi. Ndërkohë që për muzikën është përkujdesur Fatos Lumani, për skenografinë Petrit Bakalli, për kostumografinë Edlira Qyshka. Me një skenografi modeste në dukje, por tërësisht funksionale, ku tërheq vëmendjen dyshemeja me element të terapisë fizike për një invalid si Çiçoja dhe simbolikën e labirintit dhe rënies së borës, tre aktorë me interpretimin e tyre e kaluan spektatorin nga situatat komike në një fund tragjik ku të tre mbeten pa jetë mbi dëborë. Konflikti për ndarjen e pasurisë, përcillet qysh në aktin e pare, kur vëllai i vogël, aventurieri Enzo, kthehet në shtëpi nga udhëtimet e tij nëpër rrugët e botës dhe gjen dy vëllezërit Stefanin dhe Çiçon në jetën e tyre të mbyllur brenda labirintin të ndërtuar për vëllain invalid. Ardhja e Enzos nxori në pah konfliktin, kur njeriu si synim jetësor ka aspektin material. Episodet dhe dialogët të afrojnë në mendje thënien proverbiale “Njeriu për njeriun është ujk”. Çiçoja bëhet dy herë “ujk”, një herë kur helmoi dikur nënë dhe në fund kur helmoi vëllezërit dhe vetën.

Dhe pse? Thjesht për të mos mbetur vetëm, apo për të mos shkuar në klinikë psikiatrike.
Personazhi kryesor, Çiçoja, interpretuar nga Trimosh Ramadani, në mënyrë “akrobatike” kalonte nga gjendjet e lumtura, në halucinacione befasuese dhe rikthehet sërish në gjendje të trishtueshme. Enigmat e sjelljes dhe trishtimi i tij shkaktohej nga frika e braktisjes nga vëllezërit dhe të shkuarit në një klinikë psikiatrik. Të dukej sikur tragjikomedia e Çiços ishte shkruar nga autorit Vicenzo Salemme enkas për t’u luajtur nga Trimosh Ramadani, i cili për fatin e tij të keq u sëmur dhe u paralizua 9 vjet më parë kur ishte në vitin e fundit të studimeve për aktor në Universitetin e Arteve në Tiranë. “Çiçoja është roli i tij i parë si aktor pas përfundimit të studimeve dhe fatkeqësisë së sëmundjes së tij dhe unë sot në skenën e Gjirokastrës pashë vlerat e shkëlqyera interpretative të tij, pashë një aktor që ka mposhtu sëmundje dhe është ngritur në këmbë si Anteu”, u shpreh plot emocion pas shfaqjes aktori dhe pedagogu i Trimoshit, Birçe Hasko.
Plot emocione e lot në sy u gjend pas shfaqjes edhe aktori edhe regjisori Mevlan Shanaj: “Kisha kohë pa provuar emocione kaq të thella. Trimoshi dëshmoi në këtë skenë se është një trim i madh dhe një talent i vërtetë. E kam njohur qysh kur ishte student dhe u trishtova për disa vite për shëndetin e tij. Por, sot ai tejkaloi gjithçka dhe na dha një mësim të madh, me kurajën e hekurt për të dalë në skenë duke sfiduar jo vetëm fatkeqësinë e tij, por edhe plogështinë që ka mbërthyer shoqërinë tonë. Ai na dha një ‘shuplakë’ me interpretimin e tij sfidant”.


Sipas regjisorit Qëndrim Rijani, “Jashtë bie borë” e merr subjektin e saj nga një ngjarje e vërtetë dhe përkimi me rastin e Trimoshit, i cili me kurajë të pazakontë u ngjit në skenë duke sfiduar gjendjen si një i paralizuar i vërtetë, i dha një kuptim dhe fokus shumë human kësaj ndërmarrje të përbashkët krijuese.
Një shfaqje e jashtëzakonshme, ku qëndrojnë pranë e pranë normalja dhe anormalja. “Ndërthurja mes komikes dhe tragjikes, anormales dhe anormales, interesit pronësor dhe detyrimit vëllazëror, të lidhura ngushtë me një testament të nënës, zbulon ambicien, përkushtimin e gënjeshtër, fatalitetin dhe rënien e moralit”, u shpreh drejtori i festivalit Kudret Aliko.
Gjetje të shkëlqyera regjisoriale, loja kreative, interpretimi i shkëlqyer aktorial, emocionuan publikun i cili e mbuluar trupën dhe regjisorin me duartrokitje të gjata, ku natyrisht falënderimet më të sinqerta në kabinat e aktorëve i mori aktori Trimosh Ramadani.


Regjisori i shfaqjes Qëndrim Rijani e ka prejardhjen e tij nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut dhe është diplomuar në degën e Regjisë së Teatrit në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku ka kryer edhe studimet master dhe ku vazhdon të shërbejë edhe si pedagog i jashtëm i të folurit skenik. Ka realizuar rreth 15 premiera teatri dhe disa filma dokumentarë. Ka marrë pjesë në disa festivale me karakter ndërkombëtarë si: në Rusi, Turqi, Bosnjë, Zvicër, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj.
Festivali Teatror mbarëshqiptar “Kadri Roshi” ka për organizatorë teatrin e qytetit “Zihni Sako” dhe Bashkinë Gjirokastër. Gjatë këtij edicioni të dytë programi përmban 8 shfaqe konkurruese nga trupa të ndryshme teatrore, si teatri Metropolitan i Tiranës, tetari i Korçës, teatri eksperimental “Kujtim Spahivogli”, teatri i Gjirokastrës, Tetovës, Preshevës, Fierit dhe Vlorës.
Juria e festivalit përbëhet nga Mevlan Shanaj, Suela Konjari, Birçe Hasko dhe Petrit Ruka, me kryetare aktoren Rajmonda Bulku. Është i dyti vit që mbahet ky festival në Gjirokastër që ka emrin e të Madhit Kadri Roshi. Festivali ka gjallëruar edhe më tepër qytetin e gurtë dhe turizmin e tij.