Lajme

Tragjedia e paralajmëruar e Thumanës

Banorët e pallateve të shembura në Thumanë

Banorët e pallateve të shembura në Thumanë janë ankuar të paktën prej një viti për kushtet e pafavorshme të banimit, por autoritetet shtetërore nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e tyre. Tragjedia që mori shumë jetë njerëzish dje pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit mund të ishte parandaluar nëse këto pallate do të shpalleshin të pabanueshme nga ekspertët.
“Dua të them se këtu ka rënë tërmet edhe vjet. Ka pasur dëme edhe atëherë. Na kanë thënë në atë kohë se pallatet janë të banueshëm, tani ja ku janë, në kosh të plehrave. Kanë pasur dëmtime që nga tërmeti i parë”, është shprehur banori i Thumanës Besim Murati për “Gazetën Si”.
Murati me profesion inxhinier jeton në një pallat aty pranë me tulla të kuqe dhe që është bërë krejt i pabanueshëm, por fatmirësisht pa dëme të rënda, apo humbje jetësh njerëzore…”Dëmet kanë qenë të mëdha dhe na thanë që pallatet janë në gjendje të mirë, ndonëse kishin krisje të gjitha pallatet. Tashmë i dha fundin… e tani i mbytën njerëzit këtu”, thotë Murati.
Një tjetër bonore e zonës thotë se, “këto i kanë bërë të burgosurit, ndërsa 5-katshet e rrënuara krejt janë bërë me kontribut vullnetar”. Një tjetër banor thotë se, edhe para tre vitesh kanë qenë pothuajse të pabanueshme nga tërmeti, të plasaritura, e në shtator u bënë akoma më shumë krisje…ndërsa tashmë, ranë fare… Qeveria sheh punët e veta…Autoritetet vendore, e dinin po ashtu”.
Viktimat e tërmetit në Thumanë mund të ishin shmangur nëse strukturat shtetërore të vlerësimit të banesave do të kishin vepruar në kohë.
Gazeta “Si” mëson nga burime të sigurta pranë strukturave shtetërore që aktivizohen pas tërmeteve duke ngritur grupe pune për vlerësimin e dëmeve dhe për verifikimin nëse një godinë është e banueshme apo jo, se në periudhën gusht-nëntor 2018 janë inspektuar për sigurinë teknike dy pallatet e shembura nga tërmeti i kësaj të marte në Thumanë.
Burimet thonë se inspektimi nisi me kërkesë të banorëve që iu drejtuan pushtetit vendor pas tërmeteve të lehta që goditën këtë zonë në atë kohë, si dhe për shkak të amortizimit të godinave që janë të viteve ’80. Në fund të këtij procesi u arrit në përfundimin se pallatet ishin brenda kushteve e parametrave të sigurisë teknike dhe u dhanë dritën jeshile banorëve për të jetuar në këta pallate.
Tërmeti i shtatorit të këtij viti që goditi vendin ishte goditja tjetër, që sipas dëshmive të banorëve dëmtoi edhe më tej strukturat e dy pallateve në fjalë. Edhe në këtë rast, banorët u janë drejtuar autoriteteve vendore për ndihmë dhe vlerësim teknik për sigurinë teknike të pallateve. Por, burimet e Gazetës “Si” thonë se grupet e verifikimit në terren, edhe për mungesë stafi nuk e verifikuan situatën. “Puna u përqendrua më shumë tek identifikimi dhe verifikimi i dëmeve në zonat e prekura më fort, si në Ishëm dhe Durrës”, pohojnë burimet. Sa për Thumanën mbetet e paqartë nëse nga tërmeti i shtatorit e deri në tërmetin e fundit që shkaktoi tragjedinë ka patur ndonjë verifikim në terren nga autoritetet, pavarësisht alarmit të banorëve.


Etiketa:

Reklamo bizensin tuaj ketu