Opinione

Tërheqja e 10 % e kontributeve pensionale masë e paprecedent

Nga Bedri Peci

Me ngadalësimin e rritjes ekonomike për shkak të pandemisë në Kosovë, u fol shumë mbi masat për të arritur një ekuilibër midis stimulimit fiskal dhe konsolidimit fiskal në perspektivën e ardhshme kohore, duke iu përshtatur një realiteti të ri ekonomik që për fat të keq është akoma i panjohur për shkak të vazhdimit të pandemisë.

Më 22 qershor 2020, Kryeministri Hoti prezantoi programin për rimëkëmbje ekonomike me vlerë prej 1.2 miliardë euro, i cili ka për qëllim zhvillimin ekonomik afatgjatë pas pandemisë, ndërtimin e politikave nxitëse për sektorin privat dhe kompensimin për humbjet ekonomike të shkaktuara si pasojë e pandemisë. Një ndër masat e këtij programi, është ajo për stimulim të kërkesës agregate. Ajo masë parashihet të zbatohet duke ua mundësuar qytetarëve të tërheqin në mënyrë të parakohshme deri në 10% të kontributeve të detyrueshme pensionale të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Pa kontestuar qëllimin e mirë të qeverisë konsideroj se kjo masë është; a) e gabuar, b) e paprecedent, c) në kundërshtim me parimin e stabilitetit dhe sigurisë së financimit publik në prespektiven e ardhshme kohore, d) si dhe në kundërshtim substancial me vet misionin, projeksionet e Trustit të Kursimeve Pensionale si dhe të Kontributeve të detyrueshme pensionale si formë e mbledhjes së të hyrave

a) Tërheqja e parakohshme e 10% të kontributeve pensionale është e gabuar sepse kjo masë e paraparë me qëllim të stimulimit të ekonomisë nuk garanton rritjen e parashikuar të kërkesës agregate. Trusti ka nën menaxhim rreth 2 miliardë euro. Tërheqja eventuale e 10% të kontributeve pensionale do arrinte shumën e rreth 200 milionë eurove, dhe kjo bën që ndikimi në kërkesë agregate të jetë jo i madh. Ndikimi në rritjen e kërkesës agregate zbehet kur merret parasysh faktin se personat me të ardhura më të larta mund të tërheqin më shumë mjete, një pjesë e tyre mund të mos konsumohet fare por të kursehet në bankë për ndonjë periudhe tjetër dhe rrjedhimisht të dalë prapë jashtë qarkullimit.

b) Tërheqja e parakohshme e 10% e kontributeve pensionale është masë e paprecedent në teorinë dhe praktikën e financimit publik për faktin sepse edhe pse anembanë globit u ndërmorën shumë masa anti-covid me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike asnjë shtet nuk ka marrë një masë të tillë. Kjo masë përmes së cilës tentohet të rritet kërkesa agregate përmes kursimeve individuale pensionale është rast i paprecedent i bartjes së barrës së përgjegjësisë së financimit publik nga shteti në individin në kohë krize. Përkthyer në terma të obligimit kushtetues të shtetit në fushën e financimit publik është shmangie nga përgjegjësia nga ana e shtetit. Shteti me Kushtetutë është bartës i të drejtave dhe obligimeve në fushën e financimit publik. E drejtë e shtetit në fushën e financimit publik është e drejta e shtetit të mbledhë të hyra publike nga personat fizik dhe juridik ndërsa obligim i shtetit në fushën e financimit publik është ofrimi i dobisë publike për qytetarët nga të hyrat publike përmes tatimeve, taksave dhe huave publike. Kontributet e detyrueshme pensionale janë të hyra të destinuara individuale që i janë dhënë në mirëbesim (trust) Fondit që të shfrytëzohen pas moshës aktive, respektivisht pas pensionimit.

c) Tërheqja e parakohshme e 10% e kontributeve pensionale është në kundërshtim me parimin e stabilitetit dhe sigurisë së financimit publik në perspektivën e ardhshme kohore. Pensionet synojnë të mbrojnë njerëzit në pension nga varfëria dhe t’i lejojnë ata të gëzojnë standarde të denja jetese. Pensionet janë burimi kryesor i të ardhurave për rreth një të katërtën e popullsisë, me burimin kryesor të të ardhurave për qytetarët e moshuar. Nisur nga rëndësia që kanë kontributet e detyrueshme pensionale si burim i të hyrave për një numër kaq të madh të qytetarëve tërheqja e 10% të kontributeve do të ndikonte në stabilitetin dhe sigurinë financiare për një të katërtën e qytetarëve të Kosovës. Kjo për faktin sepse duke marrë parasysh kthimin mesatar të Trustit në investim, tërheqja e 2 mijë eurove në moshën 40 vjeçare redukton rreth katër mijë euro kthim në interes më pak për periudhën e pensionit, pas moshës 65 vjeçare.

Pensioni juaj ju ndihmon të mbani standardin tuaj të jetesës në pension, dhe kursimet sigurojnë të ardhura shtesë të rëndësishme për shpenzimet e paparashikuara. Planet e pensioneve në grup sigurojnë të ardhura të garantuara, mujore për jetën, gjë që e bën sigurinë financiare në pension shumë më të arritshme për ata që i kanë ato.

d) Tërheqja e parakohshme e 10% e kontributeve pensionale është në kundërshtim substancial me vet misionin, projeksionet e Trustit të Kursimeve Pensionale si dhe të Kontributeve të detyrueshme pensionale si formë e mbledhjes së të hyrave. Trusti ka kompetencat dhe të drejtat e administruesit të besuar mbi fondet pensionale, është person juridik i pavarur nën mbikëqyrjen e BQK-së i themeluar me qëllimin e vetëm dhe ekskluziv të administrimit dhe menaxhimit të llogarive individuale për pensionet e bazuara në kursime. Trusti është përgjegjës në investim të kujdesshëm dhe në ruajtjen e mjeteve pensionale dhe pagimin e të ardhurave që krijohen në llogaritë individuale për blerjen e pensioneve vjetore, për pensionet e bazuara në kursime, si një administrues i besuar që vepron në emër të pjesëmarrësve dhe shfrytëzuesve.

Trusti i Kursimeve Pensionale është fond jashtëbuxhetor. Termi fond jashtëbuxhetor zakonisht u referohet burimeve publike dhe transaksioneve qeveritare që nuk janë përfshirë në buxhetin vjetor qeveritar ose nuk i nënshtrohen të njëjtit nivel të përgjithshëm të raportimit si burimet e tjerë të financave publike. Fondet jashtëbuxhetore krijohen me qëllim të menaxhimit sa ma efektiv të të ardhurave të destinuara për një qëllim të caktuar. Nga natyra e tillë e fondeve bën që çdo eksperimentim me fondet jashtë misionit për të cilin janë krijuar krijon pasiguri në financim publik dhe jostabilitet në financimin publik. Stabiliteti i financave publike dhe qëndrueshmëria buxhetore janë një ndër parakushtet kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova nuk duhet të jetë shembulli i një aventure të tillë që nuk e njeh teoria dhe praktika e financave publike.

Tërheqja e parakohshme e 10% e kontributeve pensionale është në kundërshtim substancial me vet natyrën e kontributit të detyrueshëm pensional. Kontributi i detyrueshëm pensional është formë e të hyrave publike që e karakterizon destinueshmëria. Atyre qysh me rastin e sanksionimit ligjor të tyre paraprakisht iu caktohet destinimi i shpenzimit që është financimi i pensioneve të qytetarëve pas moshës 65 vjeçare.

(Autori është Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal – Amsterdam, dhe anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të Profesorëve të së Drejtës Tatimore –Amsterdam).