Kosovë

“Tentuan me ma mbyllë gojën, por do të kërkoj drejtësi”, shpërthen në lot babai i Agon Musliut

Naim Musliu, babai i të riut Agon Musliu që vdiq teksa ishte në karantinë në Qendrën Studentore, ka shpërthyer në lot në një emision televiziv, derisa ka thënë se kërkon drejtësi për djalin e tij.

“Djali jem më përket mua si prind dhe nënës së tij, familjes Kosovës, nuk po kërkojmë diçka tjetër përveç se drejtësi. Kush e devijoi djalin tem prej aeroportit të shkojë. Nuk ishte Agoni për karantinë, dikush me dashje, me qëllime të këqija e drejtuan djalin tim drejt vdekjes”, ka thënë Musliu.

Ai ka akuzuar politikanët se kanë tentuar t’ia mbyllin gojën.

“Kanë tentu me ma mbyllë gojën, tash sa ka ndiku që të mos kem një përkrahje, unë kam pasë përkrahje, me përkrahjen e studentëve është bërë pllakata”, ka thënë Musliu.

Ai ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi për zbardhjen e vdekjes së djalit të tij.

“Boll kam pritë se mos po zbardhet ky rast por siç po e shoh nuk do të ketë drejtësi për djalin tem në këtë vend. Derisa ta kam frymën e fundit do të jap maksimumin për zbardhjen e drejtësisë për djalin tem”, ka thënë ai në Kanal10.

“Të zbardhet gjithçka që ndodhi prej aeroportit deri në fund të jetës së djalit tem”, tha ai.