Lajme

Tenderi qëndroi një vit pa u nënshkruar, Abrashi firmos ofertën 1 milion euro më të shtrenjtë

Në prani të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka nënshkruar dje projektin për rehabilitimin e rrugës “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”, që është kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Afro një vit qëndroi në zyrën e ministrit të Infrastrukturës ky tender. Katër muaj qëndroi në zyrën e ministrit, Lumir Abdixhiku, pasi njësia e ngarkuar prej Ministrisë së Infrastrukturës për projektet e BERZH e kishte shpallur fituesin e tenderit, kompaninë italiane “Via Invoria” me 27.02.2020, shkruan lajmi.net.

Fondet ishin të siguruar qysh herët, pasi janë hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por, ministri Abrashi vendosi të nënshkruajë kontratën pas gjashtë muajve që e kishte marrë detyrën, ose tetë muaj pasi ishte shpallur fituesi.

Lajmi.net ka mësuar se në mesin e kompanive që ishin kualifikuar nga BERZH e që kishin edhe ofertë financiare më të lirë ishte një kompani kosovare afro 1 milion euro më lirë se kompania italiane.

Mësohet se ministri Abdixhiku kishte hezituar të nënshkruajë kontratën, pasi vet njësia e BERZH kishte kualifikuar një kompani më të lirë dhe më pas kishte shpallur fitues një më të shtrenjtë.

Njësia e BERZH më datë 31.01.2019, ka bërë ftesë për parakualifikim. Kanë konkurruar disa kompani. Më datë 19.07.2019 është bërë njoftim për listën e ngushtë, pra janë kualifikuar si të përgjegjshme këto kompani: “Via Invoria” nga Torino e Italisë me çmim 13, 213, 742.95 euro, “Sallahu” nga Kaçaniku 12, 357, 273.77 euro, “Gjoka Construction” nga Tirana e Shqipërisë, 15, 890, 487.95, “Samcorete” nga Egjipti, 16, 261, 725.54 euro, “Papenburg&Ardiani” nga Ferizaj, 17, 487, 095.61 euro, “Eskavatori&Ilgaz” nga Ferizaj 17, 899, 817.66 euro, “Terma&Strabag” nga Tirana, 21, 977, 771.07, “Gjikuria&GPG Company” nga Tirana 25, 365, 270.40 euro.

Më pas njësia e BERZH ka bërë vlerësimin e ofertës financiare për kompanitë e kualifikuara. Më datë 27.02.2020 fitues është shpallur oferta e kompanisë italiane “Via Invoria”, që ishte më e shtrenjtë se ajo e kompanisë nga Kaçaniku “Sallahu”. Diferenca ishte për 856 mijë e 469 euro.

Sipas njoftimit për ofertë, “Kontratat do të jenë në përputhje të Politikave dhe Rregullave të Prokurimit të Bankës”. Pra, ajo është bërë sipas rregullave të BERZH dhe jo legjislacionit në fuqi në Kosovë.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga ish ministri Abdixhiku lidhur më atë se, cila ka qenë arsyeja se nuk e ka nënshkruar kontratën. Ish ministri nuk ka dashur të përgjigjet.

Lajmi.net para një jave ka kërkuar informacione nga Ministria e Infrastrukturës lidhur më atë se pse ky tender nuk është nënshkruar deri më tani, dhe se pse në listën e kualifikimit ndodhet edhe një kompani me afro 1 milion euro më lirë se sa kompania e rekomanduar për kontratë, dhe se cila është arsyeja që kjo kompani nuk është shpallur fitues. Ministria nuk ka pranuar të japë asnjë sqarim, por pesë ditë më vonë ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës, ose saktësisht më datë 17 dhjetor.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës ishte i ftuar edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, nga vendi i të cilin vjen edhe kompania fituese.

Lidhur për mbikëqyrjen e projekteve të BERZH, ministri Arban Abrashi e pati shkarkuar njësinë më të ardhur në krye të ministrisë. Kjo mbi bazën e të gjeturave të Auditorit Gjeneral.

Ndërsa, njësia e shkarkuar që ka bërë vlerësimin e tenderit që e nënshkroi Abrashi ka qenë në këtë përbërje: Isa Berisha, Qamil Feka dhe Shefqet Emërllahu.

Lajmi.net ka mësuar se kompania “Sallahu” kishte bërë kallëzim penal për tenderin e Autostradës së Gjilanit, në të cilën më pas është involvuar prokuroria e cila është në fazën finale të ngritjes së aktakuzës. Pos, disa zyrtarëve tjerë të ministrisë në këtë kallëzim penal është i përfshirë edhe emri i zyrtarit Isa Berisha, i cili ka marrë pjesë në vlerësimin e këtij tenderi, në kualifikimin e kompanive dhe në shqyrtimin e ofertës financiare të tyre.

Derisa njësia e projekteve të BEZH-it ishte shkarkuar para disa muajve, ajo është zëvendësuar me zyrtarët: Izedin Bytyqi – Sekretar i Ministrisë, Ramë Qupeva, Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore dhe Qamil Feka, Auditor i Brendshëm.

Dyshimet e para janë që emërimi i sekretarit Bytyqi në këtë njësi përbën konflikt të interesit, pasi ai është zyrtari më i lartë administrativ i ministrisë, dhe se sipas kësaj i bije që ai ti jep llogari vetës.

Lajmi.net para disa javëve ka kërkuar nga kjo ministri të mësojë emrat e rinj të njësisë së BERZH, dhe ka pyetur ministrinë se a është konflikt interesit emërimi i sekretarit në krye të kësaj njësie, por edhe në këto pyetje ministria ka refuzuar të përgjigjet.