Kult

Teatri Kombëtar, “Europa Nostra” e vë në mbrojtje mes 14 objekteve të rrezikuara

Senatori italian Roberto Rampi: Godina duhet të restaurohet – Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dhënë lajmin se organizata europiane e trashëgimisë kulturore, “Eruopa Nostra” e ka listuar Teatrin Kombëtar mes 14 objekteve të rrezikuara. “Një lajm i mrekullueshëm! Guy Clausse, zëvendëspresident ekzekutiv i ‘Europa Nostra’, sapo na dha garancinë që aplikimi ynë ka hyrë në 14-shen e projekteve më të rëndësishme që do të shqyrtohen në fazën përfundimtare”, shkroi Aleanca që mbron teatrin prej pothuaj 2 vitesh nga projekti i qeverisë për ta shembur.





Aleanca bëri me dije në faqen e saj zyrtare se “Teatri Kombëtar është në rrezik real, ndaj edhe na e dhanë lejen ta publikojmë këtë lajm. Ndjeshmëria europiane është maksimale. Nuk jemi vetëm! Teatri Kombëtar do të qëndrojë!”, përfundoi njoftimi i saj. Delegacioni shqiptar që përfaqëson protestën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në konferencën e “Europa Nostra” që u mbajt në Paris, ka marrë kështu garancinë nga figurat drejtuese të organizatës që Teatri Kombëtar përfshihet në listën e ngushtë të 14 vendndodhjeve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Europë, çka nënkupton edhe mundësinë që Teatri Kombëtar do të restaurohet! Ndërkaq, po dje, nga ambientet e Teatrit Kombëtar, senatori italian Roberto Rampi u shpreh kundër shembjes së kësaj godine, e cila sipas tij, ka vlera të çmuara. Rampi tha se ky teatër duhet rinovuar dhe jo shembur.

Senatori italian i PD nga Lombardia zhvilloi një takim me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Rampi mbështet kauzën e artistëve dhe shprehet kundër shembjes se Teatrit Kombëtar. “Mendoj se godina e Teatrit Kombëtar Shqiptar është me rëndësi kulturore, artistike dhe arkitekturore. Do të ishte e drejtë që të restaurohet, të rinovohet në shenjë respekti të trashëgimisë kulturore. Unë kam një dashuri të madhe për Shqipërinë. I kam kërkuar edhe qeverisë italiane dhe veçanërisht Ministrisë së Kulturës italiane të kontribuojë për Teatrin Kombëtar Shqiptar. Mendoj se duhet një projekt i ri, ndryshe të rinovojë Teatrin, por jo ta shembim”.