Maqedoni

Teatri i Gostivarit, ngecin projektet e para

Ka dështuar përgatitja e shfaqjes së parë në teatrin e porsaformuar të Gostivarit. Provat janë ndërprerë që prej katër muajsh, ndërsa  arsyet e dështimit, sipas Sulejman Rushitit janë interesa banale. Alsat merr vesh se, projekti është ndërprerë për shkak të mosmarrëveshjeve se kush do e merr postin e drejtorit të teatrit të Gostivarit dhe kush do bëj regjinë e shfaqjes.

Shfaqja nuk e di përse është ndërprerë, pra për arsye dhe motive banale. Unë u mundova që të jap kontribut që të vazhdojë, sepse largimi i një apo dy aktorëve nuk e ndalon shfaqjen, zëvendësohen të njëjtët por nuk kishte disponim të tillë, unë dua ta lë pas krahëve atë pjesë të pakëndshme historie sepse nuk dua që teatri i Gostivarit të fillojë me një histori të keqe”-pohoi Sulejman Rushiti, regjisor i shfaqjes.

Aktorja Ajshe Huseini e cila tanimë është tërhequr nga provat e kësaj shfaqjeje, thotë se, as që ka ndërmend të kthehet në prova.

Kur krijohet energji e keqe brenda nuk mund të vazhdosh, sidomos kur e dimë se ky profesion është delikat dhe nuk mund të vazhdosh nëse disa herë janë ndërprerë provat, dhe stërzgjatet një diçka. As vullneti e as energjia nuk janë më si në fillim, pra kjo është arsyeja. Unë personalisht ndjehem tanimë edhe e maltretuar psiqikisht nga ky proces, sepse ka filluar në prill dhe mund ta paramendoni sa e lodhshme do jetë edhe sikur të rifillojë”-thekosi Ajshe Huseini, aktore.

Teatri i Gostivarit u themelua në tetor të vitit të shkuar, dhe që atëherë, e deri më sot, ende nuk është konsoliduar me punëtorë skene, staf teknik dhe profesional shkaku in mos hapjes së konkursit, pa asnjë shpjegim.

Bashkim Sulejmani  

Loading…