Kosovë

Të moshuarit flasin pas vaksinimit kundër gripit sezonal, MSh shpërndan 140 mijë vaksina

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, nga ora 08:00 deri në 19:00

Shaban Sijarina nga Prishtina, tha se ka ardhur me bashkëshorten e tij që t’i marrin këto vaksina.

Ai tha se e ka marrë edhe vaksinën anti-Covid, duke apeluar që të gjithë të vaksinohen.

“Po e mora vaksinën, rregullisht e marr këtë vaksinë. Po ndihem mirë dhe nuk kemi pritur shumë. Jam i vaksinuar edhe me vaksinat anti-Covid”, ka thënë ai.

Edhe Mithat Sahidi, 88-vjeçar tha se është vaksinuar më vaksinën kundër gripit sezonal, por që pati kritika për mënyrën e organizimit.

“Po ndihem mirë, veçse më ra me prit gjysmë ore. I marr rregullisht këto vaksina dhe duhet t’i marrin edhe të tjerët”, tha ai.

Ndërkaq, një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka filluar shpërndarja e 140 mijë vaksinave kundër gripit sezonal.

“Kategoritë me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë: qytetarët mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehonat, personeli shëndetësor dhe fëmijët me indikacione shëndetësore”.

“Koha për vaksinim është tani sepse vaksina ju mbron juve dhe njerëzit përreth nga gripi sezonal si dhe e ul ngarkesën e sistemit shëndetësor gjatë pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftim.

Sipas MSh-së, secila komunë do të informojë qytetarët e saj për oraret dhe qendrën e vaksinimit kundër gripit sezonal.