Opinione

Të çmendur, si budallenj!

Krejt bota e kanë dertin e vaksinave, kurse shq

Krejt bota e kanë dertin e vaksinave, kurse shqiptarët momentalisht janë duke u mërzitur për bashkimin kombëtar.

Askush s’po këqyr me mbet n’mend.

Kjo është një mërzi që nuk kryhet.

Çka janë dhimbjet e trupit në krahasim me dhimbjet e shpirtit.

Ndodhi apo Jo fundi i botës, o Zoti, o Dashuria na shpëton.

Askush nuk i ndal shqiptarët të bashkohen, s’ka Ligj në botë që i ndalon njerëzit të bashkohen, por kur ndodh bashkimi-prishet magjia, prishet poezia.

Bashkimi është prozaik.

Ndarjet janë poetike.

Nga ndarjet dhe nga vuajtjet e thella krijohet arti, e jo nga lumturia.

Ku ke pa ti ‘lumturi artistike’ !

Por megjithatë, më mirë të vdekur e të bashkuar, sesa të shëndoshë, të ndarë e të vetmuar.

Se s’ka çka të duhet jeta pa Shqipëri!

Ndoshta ti kujton se të duhet jeta, por mendoje mirë, mendoje edhe një herë, dhe e sheh se nuk të duhet jeta.

Për sadaka kombëtare dhe për riza t’Zotit, Shqipëria duhet të organizojë për shqiptarët e Kosovës trajnime me temën:

‘Si të jetoni pa Shqipërinë, dhe prap të konsideroheni si njerëz normal’!

Dhe, ‘A ka Shqipëri, pa vdekjes’!

Në anën tjetër, derisa shpirti po digjet për Shqipëri, trupi po fiket nga mërzia.

Por Avdullah Hoti nuk ka qëndruar duarkryq.

Paret e rimëkëmbjes i ka bërë mish e raki, por sipas burimit tim (që kurrë s’më ka tradhtuar), Avdullah Hoti ka arritur ta sigurojë pambukun për vaksina.

E sa herë përmendet pambuku më bie në mend dilema e lashtë: a më rëndë peshon një kg pambuk apo një kg hekër.

Se a bie më shpejt nga lartësia një kg pambuk a një kg hekër e di edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve.

As Drenasi nuk po rri duarkryq.

Derisa fabrikat e shamponëve nëpër botë po prodhojnë vaksina me efekt 50% shpëton-50% nuk shpëton, më afër mendsh është që fabrika e ushqimit me zbulu vaksinë më efektive, se ushqimi hahet e shamponi nuk pihet.

Kështu, një Fabrikë e kosit në Drenas është duke punuar për gjetjen e një vaksine vendore, për nevoja lokale, me bazë çartallakun, lëngun e purrinit dhe plumbin.

Kam informata të sakta se kjo vaksinë ushqimore, po i jep efektet e para.

Por kushti kryesor është ky: se ta pish’ këtë lëng, duhet të kesh besim në të.

Lëngu i purrinit është duke ‘fjetur’ në ujë mineral qe një muaj.

Dhe, si rezultat janë tharë të gjitha lulet në saksi. Edhe porteti i Sami Lushtakut ka dal nga rami.

Ne jemi ‘Crazy Like a Fool’.

Asnjë njeri normal nuk po më bie ndërmend në këtë moment.

Mehmet Kraja, si ekspert i jetës, ka propozuar që të krijohet një lojë shpërblyese për vaksinat, në mënyrë që të joshen shqiptarët.

Vaksinë e shqiptarit është muzika LIVE, dhe kush ka aq forcë të madhe dhe e privon veten nga ky argëtim, qeveria ia jep një vaksinë gratis.

Nëse vaksinimi nuk bëhet atraktiv, nëse nuk bëhet lojë garuese dhe sfidë, shqiptarëve nuk u duket atraktiv.

Vdekjes i janë kushtuar shumë këngë, kurse vaksinës ende asnjë.

Veç Genc Prelvukaj që ia ka kushtuar një strofë vaksinës.

‘Vaksina nuk është Louis Vuitton

Që ti me e ble kur don

E mos me vetë për çmim ma

Plaga nuk mbyllet me lek

Rri larg e mos m’prek

Vaksina nuk është film ma’

Kur Genci e nxjerr atë tingullin e tij karakteristik (që tingëllon si onomatope), pra e dini që nëse delja bën ‘be’ Genci bën ‘Ë’.

Dhe Kjo ‘Ë’ nxjerret nga goja kur ngulitet vaksina.

Edhe një rrobaqepëse nga Llapi, e frymëzuar nga koleget e saj angleze, e ka adaptuar maicën me një krah, që kur të shkojnë llapjanët të vaksinohen, mos me pas nevojë të zhveshen, si ne të tjerët.

P.S. Prej se e kanë sulmuar shokun tim të ngushtë Visarin, e kam shtuar vigjilencën.

Zakonisht po ju flugem këtyre të KFOR-it kur po i kam si afër.

Dje në një dyqan duke pritur në rend të paguaj, para meje ishin do ushtarë gjerman të KFOR-it.

Nga frika se po ma prenë dikush bistekun, iu ‘rrasa’ njërit, veç çka s’i hyna në mëngë.

Unë e di se (sipas Kantit) gjermanët s’janë romantik, por ky i kishte pasur sytë e gjelbër.

I pëlqeva.

Qysh mos m’i pëlqy, dukesha e butë si qengji.

Dhe, ishte duke paguar kur u kthy dhe më shikoi në drita të syve.

‘Say it again’-më tha.

Unë s’thashë asgjë, që t’ia përsëritja.

Buzëqesha dhe i thashë ‘asgjë s’thashë’.

Sot do të isha me të sikur ushtari gjerman i KFOR-it ta kishte guximin e një gazetareje shqiptare .

Boll u munduan kolegët ushtarakë m’i ndihmu, koka i mbeti pas meje…po s’u shkru.