Lajme

Tahiri: Koalicioni është stabil, tek posti i presidentit do të jetë një lojë tjetër

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri po e konsideron stabil koalicionin qeverisës me LDK-në, por thotë se kur vjen koha tek zgjedhja e presidentit, aty do të jetë një “lojë tjetër” dhe se pret reflektimin e partnerëve qeverisës për këtë temë.

I dyti i ekzekutivit duke shpreh këmbënguljen për këtë post, vlerëson se shefi i partisë, Ramush Haradinaj është personi më i mirë në këto rrethana për president të vendit.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Tahiri mohon se të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është diskutuar për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe. Madje thotë se kjo temë nuk do të hapet asnjëherë, pasi është çështje e brendshme e Kosovës.

“Ne kemi një shumicë të ngushtë, por shumicë funksionale. Kur vjen puna tek presidenti, aty është lojë tjetër, diskutim tjetër. Ne e kemi kandidatin tonë, shpresojmë se të gjithë do të reflektojnë për shkak se për rrethanat që jemi është personi më konkurrues dhe më i mirë në këtë temë… Nuk është punë e heqjen dorë, ose punë e një parimi, ne kemi pasur një votim, mendojmë se kryetari Haradinaj do të bënte një punë të mirë në këto rrethana të vështira”, thotë Tahiri për KosovaPress.

Ai thotë se përmes kushtëzimeve Serbia po tenton që të zvarritë arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.

“Asociacioni si temë nuk është hapë dhe nuk do të hapet. Është detyrë e Kosovës dhe si e tillë vazhdon të jetë. Është zotim programor politik i garantuar prej Kuvendit. Nëse ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale të njohjes reciproke, Kosova asociacionin do të bëjë vet, e ka obligim me bërë vet, por jo të diskutohet dhe negociohet. Është çështje që nuk mund të negociohet, është politikë e brendshme dhe është gabim. Ajo që dua t’i them qytetarëve të Kosovës se është një strategji e kamotshme e Serbisë që me qeverinë Haradinaj u lidhën me taksën, tash po lidhen me asociacionin. E qëllimin e kanë shumë të thjeshtë mos me zgjedh këtë problem, me vajtu në Bruksel dhe atje me marrë benefitet e vet. E Kosova me mbet këtu ku është pa liberalizim, pa asgjë. I bëj thirrje BE-së që të kenë kujdes se kjo është një strategji shumë e fshehtë e Serbisë dhe kjo është publike se dje janë marrë me taksën, sot po thotë asociacioni”, u shpreh Tahiri.

Sa i përket kërkesës së opozitës për dorëheqje të ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendëskryeministri Tahiri thotë se kjo kërkesë është e tmerrshme, pasi nuk ka asnjë arsye që ministri të japë dorëheqje.

“Kërkesa për dorëheqje të Blerim Kuçit për shkak se kompania ku është pronar paska fitu një tender në kohë të Albin Kurtit është e tmerrshme. Kjo është vetëm me ia vendos një etiketë. Njëriu e ka fituar një kontratë, kompania e tij në kohën e qeverisë Kurti, pse me dhënë ai dorëheqje. Për çfarë arsye”, thotë Tahiri.

Tahiri për KosovaPress foli edhe për miratimin e buxhetin në mbledhjen e djeshme të qeverisë, thotë se në buxhet është akomoduar programi qeverisës që përfshinë edhe ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, e jo pazaret politike.

Pavarësisht se në tabelat buxhetore ka hyrë dhe ndërtimi i kësaj autostrade, Tahiri thotë se është ndarë vetëm një shumë sa për të filluar punimet, pasi në këtë kohë me pandeminë Covid 19, nuk kanë buxhet për ndërtim të tërësishëm të autostradës.

“Ajo që do të them për këtë buxhet është se nuk ka qenë ushtrim i lehtë për arsye se është goditur shumë buxheti me pandeminë dhe mungesën e të hyrave. Ne kemi përfshirë në buxhet, jo diskutime dhe pazare politike por të programit qeverisës që e kemi pasur. Programi ynë qeverisës e ka përfshirë edhe autostradën e Dukagjinit, e cila e ka një shumë simbolike vetëm sa për të filluar. Pasi ne jemi në kohë të pandemisë duhet të jemi të sinqertë, nuk bëjmë ne autostrada përderisa nuk kemi buxhet për gjëra elementare. Por si pikë programore autostrada e Dukagjinit është në buxhet”, thotë ai.

Ndërkaq thotë se kanë akomoduar kërkesat e gjithë kryetarëve të komunave në buxhetin për vitin e ardhshëm, e jo vetëm atyre që janë nga partitë e koalicionit qeverisës.