Lajme

Tahiri kërkon rishqyrtimin e vendimit për pensionet: Është vendim i pavend në pandemi

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë Kurti për skemat pensionale dhe ndarjen e mjeteve për gastronominë, pasi sipas tij 6 milionë euro nuk i plotësojnë nevojat e bizneseve të dëmtuara.

Sipas tij, Qeveria nuk ka plan konkret për menaxhimin e pandemisë, prandaj thotë se vendimi është “i pa matur, i pa menduar dhe i pa llogaritur”.

Reagimi i tij i plotë:

Vendimi i Qeverisë për uljen e shtesave ndaj skemave sociale pensionale, kategorive më të cenuara shoqërore në periudhën e ballafaqimit me pandeminë COVID19, është vendim i pavend dhe ai duhet rishikuar menjëherë nga Qeveria.

Kjo periudhë e rëndë imponon që të gjenden edhe masa të tjera mbështetje për disa kategori sociale siç janë pensionistët, e as nuk do të duhej të mendohej që të njëjtit të mbesin edhe pa atë pak mbështetje shtesë që iu ishte ndarë më parë.

Ndërsa vendimi për ndarjen e 6 milionë eurove, gjoja në emër të sanimit të dëmeve të pandemisë për disa sektorë të biznesit që qeveria i mbylli kuturu, nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e bizneseve qe janë dëmtuar nga kjo mbyllje. Ky vendim është i pa matur, i pa menduar dhe i pa llogaritur. Ai as nuk do t’i ndihmojë e as nuk do t’i stimulojë këto biznese, veçse do t’ua komplikojë edhe më shumë qasjen në ndihmën për të cilën ata sot kanë nevojë.

Prandaj ne vazhdojmë të insistojmë që qeveria të ketë një plan konkret për menaxhimin e pandemisë, si dhe ta zbatojë Ligjin e Rimëkëmbjes, e jo të ndërmarrë vendime ad hoc, të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt real e të qëndrueshëm, përveç shpenzimit të buxhetit të taksapaguesve tanë.