Lajme

Sveçla viziton pikat kufitare, monitoron zbatimin e marrëveshjes për stikersat në targat e veturave

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar të hënën pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, për të parë zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e stikersave në targat e veturave, njofton Shqip.com.

Përmes një njoftimi, MPB ka bërë të ditur se zbatimi i marrëveshjes ka filluar pa ndonjë problem në pikat kufitare.

Ministri i Punëve të Brendshme gjatë vizitës në pikat kufitare në Jrinje dhe Bërnjak.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë vartëse, përfshirë Policia e Kosovës me kohë kanë bërë përgatitjet e nevojshme, si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore, po ashtu edhe të atyre administrative e logjistike, ku bëjnë pjesë edhe stikersat, në mënyrë që të fillojë me kohë zbatimi i marrëveshjes dhe të iu mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë për të lëvizur me automjetet e tyre pa problem”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, në këtë vizitë, u kërkuar që Policia të vazhdojë me angazhime në zbatim të ligjit në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë, parandalimin e krimit ndërkufitar dhe kontrabandës.

“Gjatë kësaj vizite u kërkua që Policia e Kosovës të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë, parandalimin e krimit ndërkufitar dhe kontrabandës, si dhe mundësimin e qarkullimit e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave,  e në veçanti për kufij të hapur,  mirë të kontrolluar dhe të sigurt”, thuhet tutje.

Ndryshe, të enjten në Bruksel u nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ku parashihet që të gjitha veturatve në targat e tyre t’iu vendosen stikersa (ngjitës).

Kjo ka ardhur pasi që Qeveria e Kosovës, më 20 shtator kishte vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë ku parashihej që çdo veturë që hyn, t’i zëvendësoj targat me ato të përkohshme.

Të pakënaqur për këtë, serbët lokal kishin bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.

Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kanë qëndruar atje që nga vendosja e kësaj mase deri në nënshkrimin e marrëveshjes./Insajderi.com